Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila falënderoi votuesit

Alternativa falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen, përkushtimin dhe qytetarinë e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Një mirënjohje e veçantë shkon për votuesit, aktivistët, anëtarët dhe të gjithë ata që kontribuuan me zemër, si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën e votimit.

Së bashku dëshmuam se demokracia jeton me pjesëmarrje dhe përkushtim.

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila po ashtu është shprehur falënderuese ndaj votuesve dhe gjithë qytetarëve të vendit.

“Kosova e dëshmoi edhe një herë standardin e lartë për të administruar një proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe të lirë, shembull për rajonin dhe më gjerë. Një falënderim po aq i madh për të gjithë kandidatët e Alternativës për asambletë komunale në komunat ku garuam. Puna, angazhimi dhe besimi i tyre na frymëzuan të jemi pjesë e kësaj gare, edhe pse rezultati nuk ishte ai që synuam. Këto zgjedhje ishin vetëm hera e dytë në tetë vite ekzistencë të Alternativës që morëm pjesë në zgjedhjet lokale me emrin tonë. Gjatë këtij rrugëtimi kemi kuptuar se duhet të jemi edhe më aktivë, më të pranishëm dhe më të qartë në politikat që përfaqësojmë”, ka theksuar ajo.

“Mirënjohje të veçantë për dy kandidatët tanë për kryetarë komunash – Merkur Beqirin në Prishtinë dhe Reshat Nurbojën në Pejë – të cilët me angazhim maksimal dhe përkushtim të madh, pavarësisht infrastrukturës së kufizuar politike, arritën ta ngrisin dhe promovojnë me dinjitet emrin dhe programin e Alternativës. Në këtë garë, Alternativa arriti barazi të plotë gjinore në kandidatura dhe rikonfirmoi vizionin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, me politika miqësore ndaj mjedisit, transparencë, dhe infrastrukturë bazike të mbështetur në buxhetim të përgjegjshëm gjinor”, ka thënë ajo.

“Të bindur se rrugëtimi ynë përpara është gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm në mbarë Kosovën, do të vazhdojmë me përkushtim për të zgjeruar praninë tonë dhe për të realizuar programin tonë aty ku ekziston hapësira dhe besimi për bashkëpunim. Urime të gjithë fituesve në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe suksese me fat e dinamikë pozitive për kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, balotazhin e caktuar për 9 nëntor”, është shprehur ajo.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës