Komunikata nga Konferenca për Media 06.07.2019

Komunikata nga Konferenca për Media 06.07.2019

Komunikata nga Konferenca për Media

Keqpërdorimet po thellohen, buxheti dhe shteti po rrezikohet – vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë

Alternativa konsideron se raportet e fundit të auditorit të përgjithshëm dhe keqpërdorimet e evidentuara të parasë publike bashkë me abuzimin e detyrës zyrtare, tregojnë për vazhdimësinë e përkeqësimit të qeverisjes në Kosovë.
Nëse ky trend i keqqeverisjes dhe investimeve pa plan dhe strategji nuk ndalen, vendi rrezikon hyrjen në ciklin e krizës së rëndë finaniare dhe sociale.

Shembull mund të merret raporti i Auditorit i Ministrisë së Mjedisit në të cilën janë evidentuar borxhet e pashlyera të shpronësimit prej vitit 2010 – 2018, në vlerë prej 160 milion Euro, pëderisa Qeveria po vazhdon me vendimet e saja të thellojë krizën dhe borxhin e shpronësimeve me projektet e reja të cilat nuk kanë as fizibilitet dhe as vlerësim të ndikimit në mjedis.

Shpenzimet në investime kanë degraduar, përderisa nuk arrihet të investohet mjetet nga huamarrja si rrjedhojë e problemeve dhe paaftësisë së menaxhimit të tyre. Shembull është huamarrja nga fondi arab për rrugët rajonale me vlerë 8 milion euro të cilat nuk po realizohen.
Qeveria humb projekte nga fondet e BE-së siq është rasti me 12 milion Euro të deponisë së mbeturinave të rrezikshme si rrjedhojë e paaftësisë së saj për të evidentuar një lokacion për të cilin do të bëhej vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe pastaj investimi. Askush nuk merr përgjegjësinë për fondet e humbura.

Përderisa, ditë më parë u nënshkrua memorandumi nga Kryeministri dhe Kryetari i Prishtinës, për ndërtimin e kompleksit qeveritar, Prishtina e re, e cila do të përfshijë 700,000 m2 hapësira të reja administrative qeveritare, ndërsa sot në menaxhim janë 68 ndërtesa me 216,393.76 m2 hapsira të brendshme.
Përderisa planifikohet zvogëlimi i numrit të ministrive dhe rrjedhimisht shërbyesve civil në to, synohet rritja e hapësirës administrative pa asnjë analizë dhe vlerësim profesional dhe mbi të gjitha me shpenzime shtesë, të cilat në asnjë mënyrë nuk e rrisin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por vetëm ushqejnë tenderomaninë dhe thellojnë keqpërdorimin e buxhetit të shtetit.

Projekt tjetër me rrezik të lartë për buxhetin e shtetit është ai i autoudhës së Dukagjinit, për të cilin Alternativa vlerëson se në rrethanat ku kemi ikje të qindra mijëra të rinjëve dhe intelektualëve nga Kosova, kemi nivel jo të ulët të shërbimeve në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, shpenzimi i 1 milardë eurove për ndertimin e kësaj autorruge është më shumë se gabim.
Alternativa vlerëson se në këtë projekt po mbizotëron mendësia dhe lakmia e përqindjeve nga tenderi i saj dhe shpronësimet.
Me ketë shpenzim eventual të 1 milardë eurove me skemen aktuale sociale dhe me numrin e afro 85 mijë të të punësuarëve që paguhen nga buxheti i Kosovës, realisht dhe sipas të gjitha parametrave ekonomikë rrezikohet seriozisht buxheti dhe do të ndodhë Bankrotimi Financiar i Shtetit të Kosovës, sepse shumë shpejt Kosova nuk do të jetë në gjendje të paguaj obligimet, detyrimet e saja ligjore fillimisht ndaj qytetarëve të saj e pastaj edhe ndaj kreditorëve të saj ndërkombëtar.

Për Alternativen, në mes të dhjetëra çështjeve tjera serioze, qeverisja që seriozisht rrezikon bankrotimin financiar dhe funksionimin e shtetit të Kosovës është arsyeja më përmbajtësore dhe më urgjente pse kjo qeveri, ky kuvend dhe ky president duhet të largohen sa më parë nga aty ku janë dhe të shpallen zgjedhjet e e reja.

Prandaj Alternativa kërkon që:

1. Sa ma parë të caktohet data e zgjedhjeve të ardhëshme nacionale
2. Të merren me seriozitet Raportet e Auditorit nga institucionet përgjegjëse dhe të sanksionohen ata që kanë abuzuar me paranë e shtetit .
3. Alternativa thërret, partitë opozitare të dakordohen për strategjinë zgjedhore dhe përcaktojnë standardet e qeverisjes të cilat do të përfshijnë:

a. Përcaktimin e qartë të prioriteteve qeverisëse përfshirë masat e menjëhershme për ndaljen e migrimin e të rinjëve nga Kosova
b. Reformën e thellë të administratës publike
c. Planin strukturor për balancim e buxhetit të shtetit
d. Ri-shikim të projekteve kapitale dhe përcaktim të standardeve për investime, në të cilat duhet të përfshihen vlerësimet mjedisore dhe sociale
e. Përcaktimin e axhendës së integrimit dhe kthimin në binarë të zbatimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit

Qendrimi i Alternatives ne lidhje me dokumentin e ri te prezantuar nga Pozita

Dokumenti i prezantuar nga pozita ka nevojë për diskutim më të gjerë dhe përmiresime substanciale. Partitë në Qeveri duhet të kuptojne se koncenzuesi nuk ndërtohet me veprime të njëanshme të tyre, por ai duhet të jetë produkt i një qëndrimi të përbashkët të gjitha partive politike parlamentare.
Alternativa e konsideron të domosdoshme nevojen për platformë të përbashkët të Partive Parlamentare.
E nëse kjo nuk mund të arrihet në këtë moment, atëherë vendi domosdo duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ne e ritheksojmë se, Kosova në dialog me Serbinë nuk mund të përfaqësohet nga Presidenti i Kosovës për arsye të dëmeve të deritashme të shkaktuara me veprimet e tij të njëanshme.
I thërrasim partitë politike të reflektojnë në nevojen e ndërtimit të koncenzusit me qëndrim të përbashkët për një proces të rëndesisë primare për shtetësinë e Kosovës
Partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës, ALTERNATIVA, LDK, VV, dhe PSD, sot kanë dërguar letër tek znj. Federica Mogherini.

Partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës, ALTERNATIVA, LDK, VV, dhe PSD, sot kanë dërguar letër tek znj. Federica Mogherini.

1 2 shtator 2018

Partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës, ALTERNATIVA, LDK, VV, dhe PSD, sot kanë dërguar letër tek znj. Federica Mogherini.
Në këtë letër është sqaruar qëndrimin i tyre lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Gjithashtu aty është shprehur pakënaqësia e opozitës, të cilët përfaqësojnë 60 për qind të qytetarëve të Kosovës, lidhur me idenë që po diskutohet për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve. Ide këto të cilat nuk do të kenë mbështetje dhe çfarëdo marrëveshje e cila derivon nga ide të tilla nuk do të përkrahet.

Në letër gjithashtu kërkohet që faza finale e dialogut me Serbinë të bazohet në parime të qarta si dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës.

Fillimi i një procesi të ri të dialogut pa përgatitjet e nevojshme, siç po tenton qeveria aktuale, do të dështojë. Është përgjegjësi e plotë e Kuvendit të Kosovës që të aprovojë platformën për dialog me një shumicë prej 2/3 dhe vetëm në këtë formë mund të sigurohet legjitimitet i këtij procesi. Çdo formë tjetër e zhvillimit të dialogut është e destinuar të dështojë. Është në interesin e qytetarëve të Kosovës që të arrihet një konsensus i tillë brenda Kuvendit të Kosovës.

Qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces dhe se një legjitimim i ri i Kuvendit të Kosovës duhet të ndodh sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Duke vlerësuar lartë rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës besojnë se të dyja duhet të jenë plotësisht të involvuara dhe gjithashtu kërkojnë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të nënkuptojë normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Normalizimi i plotë mund të arrihet vetëm me njohje reciproke. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim të menjëhershëm në organizatat ndërkombëtare, para se gjithash në OKB, si dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit në BE dhe NATO.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Alternativës

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Alternativës

Këshilli i përgjithshëm i Alternativës, në mbledhjen e mbajtur sot (23.08.2018), diskutoi mbi aktualitetin politik në Kosovë, me të cilën rikonfirmojnë qëndrimin e subjektit tonë se Presidenti i shtetit, z. Hashim Thaçi nuk është personi i duhur për udhëheqjen e dialogut sepse nuk ka mandat kushtetues. Për më tepër, një udhëheqje e dialogut nga z. Thaçi do të shkaktonte dëme të pariparueshme si në aspektin territorial, poashtu edhe në aspektin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Alternativa vlerëson se ky format i dialogut është i paqëndrueshëm dhe si i tillë duhet të ndalet. Alternativa qëndron e gatshme të jep propozime dhe të jetë kontributdhënës në dialogim me Serbinë, gjithmonë në përputhje me Kushtetuten e Republikës së Kosovës, si Republikë Parlamentare.

Aktualiteti politik i vendit ishte tema tjetër e cila u trajtua sot në këtë Këshill, sipas të cilës Alternativa mban qëndrim të prerë dhe konsideron se Kryeprokurori i shtetit, Kryetari i Këshillit Prokurorial dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës duhet të vihen para llogaridhënies për ndërhyrjet e prezantuara në procesin hetimor nën ndikimet e rënda politike .

Alternativa dënon ashpër ndërhyrjen brutale në sistemin e drejtësisë të Kryeministrit z. Ramush Haradinaj, për të cilën Alternativa ka qëndrim se kjo Qeveri duhet të rrëzohet.

Ndërhyrja brutale në Drejtësi dhe keqmenaxhimi konstant i qeverisjes të Kryeministrit z. Ramush Haradinaj dënohet ashpër nga Alternativa.

Alternativa si parti me orientim liberal-demokrat, konsideron se respektimi i drejtësisë dhe qeverisja e vendit janë të drejta dhe detyrime të atyre që janë zgjedhur për atë pozitë. Një ditë më shumë me këtë Qeveri, dëmi do të jetë më i madh. Prandaj, Alternativa kërkon dhe punon që kjo Qeveri të rrëzohet sa më parë duke dhënë angazhimin tonë që kjo të ndodhë.

#KosovakaAlternativë
#AlternativapërKosovën

DEKLARATA për Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

DEKLARATË E KRYESISË SË ALTERNATIVËS për Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

Alternativa e përshëndetë Deklaratën e përbashkët të Kosovës dhe Malit të Zi për marrëveshjen e demarkacionit ndërmjet dy shteteve. Konsiderojmë se me këtë akt janë krijuar kushtet për konsensusin e plotë politik për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror me Republikën e Malit të Zi.

Alternativa konsideron që për çdo çështje të interesit nacional të ecet përpara me konsensus politik, dhe të nxjerrim mësime nga bllokada që i është shkaktuar vendit që gati 3 vite.

I bëjmë thirrje partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës që unanimisht ta votojmë marrëveshjen në fjalë, dhe t’i hapim rrugë vendit tonë për liberalizimin e vizave. Poashtu, ju bëjmë thirrje institucioneve të sundimit të ligjit të shtetit tonë, që me seriozitetin më të madh të arrijnë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të shmangur çfarëdo pengese për liberalizimin e vizave.

Mbahet Kuvendi i Parë Zgjedhor i Alternativës

Mbahet Kuvendi i Parë Zgjedhor i Alternativës

Sot, me datën 10 Shkurt, është mbajtur Kuvendi i parë zgjedhor i subjektit më të ri politik në vend, Alternativa.

Fillimisht delegatëve dhe mysafirëve të pranishëm, i është drejtuar deputeti i Alternativës në Kuvendin e Kosovës, z. Ilir Deda, i cili këtë ditë e vlerësoi si një nismë të mbarë jo vetëm për Alternativën, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Një adresim të veçantë, para delegatëve kishte edhe kryesuesja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, e cila tha se, Alternativa ka lindur si domosdoshmëri e vlerave dhe parimeve në politikëbërjen e vendit tonë.

Kuvendin zgjedhor të Alternativës e kanë përshëndetur edhe mysafirët e pranishëm nga partitë tjera, si Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së, Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, kurse me prezencën e tyre këtë Kuvend e nderuan edhe përfaqësuesit e NDI-së në Kosovë.

Procesi zgjedhor vazhdoi me dy propozime për të parin e Alternativës, ku nga deputeti Ilir Deda, propozoi si kandidate znj. Mimoza Kusari Lila, ndërsa si kundër kandidat nga Kuvendi u propozua Abdurrahman Belegu.

Me 100 vota të delegatëve, Alternativa si kryetare zgjodhi znj. Mimoza Kusari.

Kuvendi vazhdoi punimet duke zgjedhur 51 delegatë të Këshillit të përgjithshëm, të cilët më pas zgjodhën edhe Kryesinë e Alternativës, e cila përbëhet nga 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë, prej tyre nënkryetar i parë u zgjodh Ilir Deda dhe nënkryetar i dytë Reshat Nurboja .

Vlenë të thekësohet se Alternativa dëshmoi edhe njëherë praktikën e demokracisë dhe dha një sinjal të qartë se Alternativa është në rritje e sipër.

#KosovakaAlternativë
#AlternativapërKosovën