Deklarata Politike

Alternativa është bashkim i individëve, anëtarëve dhe mbështetësve që ndajnë vizionin e një Kosove të përparuar, me drejtësi sociale dhe të bashkuar. Misioni ynë është përfaqësimi i qytetarëve të Kosovës që të përmbushet vizioni ynë, së bashku me vlerat dhe parimet tona qeverisëse.

Vizioni ynë për Kosovën

Alternativa do të angazhohet në kthimin e besimit në vlerat e demokracisë dhe përgjegjësinë ndaj vullnetit të qytetarëve.

Alternativa synon të ketë shoqërine në të cilen pushtet janë qartazi të ndara në mes të Qeverisjes dhe Sundimit të ligjit si pjesë e shoqërisë së hapur, me mbrojtje të barabartë të drejtave të njeriut, drejtave të shoqërisë, liritë qytetare dhe liritë politike për të gjithë njerzit pa dallim.

Të gjithë qytetarët e Republikës janë të garantuar për trajtim të barabartë dhe shtet të së drejtës, por shumë pak prej tyre e ndjejnë barabarësinë dhe drejtësinë e shtetit në të cilin jetojnë, andaj edhe sytë dhe mendja e shumicës është kthyer jashtë, për ikje nga shteti.

Alternativa, konsideron se kthimi në fokus në gjetjen e mundësive brenda Kosovës është domosdoshmëri për qytetarët e Kosovës dhe në veçanti, rininë e Kosovës.

Mundësitë e arsimit cilësor, punësimi dhe vëtëpunësimi do të jenë pjesë e reformave tona të mënjehershme.

Kthimi në fokus i mekanizmave përkrahës për inciativat e bizneseve të reja, duke e vlerësuar kreativitetin dhe aftësitë për të konkuruar në rajon bashkë me mbështetjen e binzeseve ekzistuese duke i lidhur në mënyrën e drejtëpërdrejtë me sistemin e arsimit janë të domosdoshme për t’u zbatuar. Politikat për nxitjen e eksporteve do të jetë prioritet për zhvillim afatgjatë ekonomik.

Rishikimi dhe reformimi i legjislacionit dhe zbatimit në luftën kundër
korrupsionit janë mekanizëm i pashmangëshëm në kthimin e besimit në shtet funksional dhe të barabartë për të gjithë.

Alternativa do të angazhohet në plotësimin dhe finalizimin e shtetësisë së Kosovës. Kosova është shtëpia jonë dhe ajo ka nevojë për përmbyllje të procesit të shtetndërtimit.

Formimi i Forcave të Armatosora të Kosovës, sipas standardeve të NATO-s, si institucion i domosdoshëm i shtetit tonë që e siguron popullin e Kosvoës, do të jetë angazhimi i Alternativës.

Raportet me fqinjët janë element i stabilitetit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë rajonal në rrugëtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Alternativa i konsideron raportet me fqinjët të domosdoshme në baza të bashkëpunimit reciprok dhe të barabarësisë së plotë.

Kosova nuk do të jetë inferiore ndaj asnjërit prej fqinjëve dhe do të jetë plotësisht e përkushtuar në ngritje të bashkëpunimit në të gjitha nivelet me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Raporti dhe bisedimet me Serbinë do të jetë i bazuar në: gjetjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, kompenzimi i dëmeve nga lufta në Kosovë, përfshirë edhe përmbylljen e suksesionit të ish-Jugosllavisë. Në këtë dialog, Kosova do të ketë qasje proaktive dhe ndërtimin e konsenzusit politik për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duhet të forcojë institucionet vendore në mënyrë që të jenë të shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim. Ngritja e standardit jetësor në Kosovë është kusht primar për qytetarët e Republikës e pastaj edhe kusht për integrimin e Kosovës në Aleancën veri atlantike, në

Bashkimin Evropian dhe në familjen e vendeve të zhvilluara.

Alternativa prezanton vlerat liberal demokrate, të cilat mbrojnë demokracinë dhe lirinë e individit dhe përcaktojnë kufizimet të cilat synojnë të pengojnë këtë liri.

Pse Tash?

Pse Tash?

Asnjë herë më parë nuk ka qenë më i ulët besimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës, në vetë shtetin dhe në strukturën qeverisëse të shtetit. Alternativa do të angazhohet në kthimin e besimit në shtëpinë tonë të përbashkët Kosovën, e cila u ndërtua me mund, sakrificë dhe gjak, por integriteti i së cilës po rrezikohet çdo ditë.

Çdo ditë e humbur në mungesë të një bashkimi të individëve me ide përparimtare dhe të guximshme të bazuar në parimet e shtetëndërtimit dhe ngritjes së individit për rikthim të besimit në shtetin tonë, është ditë e humbur e të ardhmes së shtetit.

Pse Alternativa?

Diskursi politik dhe qeverisës i Kosovës, ka sjellë një ndarje të theksuar në mes të prioriteteve të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe prioriteteve qeverisëse. Përderisa Qeverisja angazhohet në agjendën e cila nuk prezanton prioritetet e qytetarëve, opozita arrinë në masë ta bllokojë këtë agjendë, por pa ofruar hapësirë të re për zgjidhje të problemeve thelbësore të qytetarëve. Konsenzusi politik, për zgjidhjen e problemeve madhore të Kosovës është jashtëzakonisht i domosdoshëm.

Alternativa do të angazhohet në ofrimin e zgjidhjeve të problemeve më me peshë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Punësimi dhe mirëqenia dhe lufta ndaj korrupsionit paraqiten si dy prioritetet e qytetarëve të Republikës pa marrë parasysh etninë apo statusin shoqëror. Andaj, si një subjekt politik, i cili buron nga kërkesa e qytetarëve për alternativë politike, shtyllat e domosdoshme të programit të Alternativës janë: Ngritja e mirëqenies së qytetarëve dhe Sundimi i ligjit.