Komunikata nga Konferenca për Media

Keqpërdorimet po thellohen, buxheti dhe shteti po rrezikohet – vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë

Alternativa konsideron se raportet e fundit të auditorit të përgjithshëm dhe keqpërdorimet e evidentuara të parasë publike bashkë me abuzimin e detyrës zyrtare, tregojnë për vazhdimësinë e përkeqësimit të qeverisjes në Kosovë.
Nëse ky trend i keqqeverisjes dhe investimeve pa plan dhe strategji nuk ndalen, vendi rrezikon hyrjen në ciklin e krizës së rëndë finaniare dhe sociale.

Shembull mund të merret raporti i Auditorit i Ministrisë së Mjedisit në të cilën janë evidentuar borxhet e pashlyera të shpronësimit prej vitit 2010 – 2018, në vlerë prej 160 milion Euro, pëderisa Qeveria po vazhdon me vendimet e saja të thellojë krizën dhe borxhin e shpronësimeve me projektet e reja të cilat nuk kanë as fizibilitet dhe as vlerësim të ndikimit në mjedis.

Shpenzimet në investime kanë degraduar, përderisa nuk arrihet të investohet mjetet nga huamarrja si rrjedhojë e problemeve dhe paaftësisë së menaxhimit të tyre. Shembull është huamarrja nga fondi arab për rrugët rajonale me vlerë 8 milion euro të cilat nuk po realizohen.
Qeveria humb projekte nga fondet e BE-së siq është rasti me 12 milion Euro të deponisë së mbeturinave të rrezikshme si rrjedhojë e paaftësisë së saj për të evidentuar një lokacion për të cilin do të bëhej vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe pastaj investimi. Askush nuk merr përgjegjësinë për fondet e humbura.

Përderisa, ditë më parë u nënshkrua memorandumi nga Kryeministri dhe Kryetari i Prishtinës, për ndërtimin e kompleksit qeveritar, Prishtina e re, e cila do të përfshijë 700,000 m2 hapësira të reja administrative qeveritare, ndërsa sot në menaxhim janë 68 ndërtesa me 216,393.76 m2 hapsira të brendshme.
Përderisa planifikohet zvogëlimi i numrit të ministrive dhe rrjedhimisht shërbyesve civil në to, synohet rritja e hapësirës administrative pa asnjë analizë dhe vlerësim profesional dhe mbi të gjitha me shpenzime shtesë, të cilat në asnjë mënyrë nuk e rrisin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por vetëm ushqejnë tenderomaninë dhe thellojnë keqpërdorimin e buxhetit të shtetit.

Projekt tjetër me rrezik të lartë për buxhetin e shtetit është ai i autoudhës së Dukagjinit, për të cilin Alternativa vlerëson se në rrethanat ku kemi ikje të qindra mijëra të rinjëve dhe intelektualëve nga Kosova, kemi nivel jo të ulët të shërbimeve në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, shpenzimi i 1 milardë eurove për ndertimin e kësaj autorruge është më shumë se gabim.
Alternativa vlerëson se në këtë projekt po mbizotëron mendësia dhe lakmia e përqindjeve nga tenderi i saj dhe shpronësimet.
Me ketë shpenzim eventual të 1 milardë eurove me skemen aktuale sociale dhe me numrin e afro 85 mijë të të punësuarëve që paguhen nga buxheti i Kosovës, realisht dhe sipas të gjitha parametrave ekonomikë rrezikohet seriozisht buxheti dhe do të ndodhë Bankrotimi Financiar i Shtetit të Kosovës, sepse shumë shpejt Kosova nuk do të jetë në gjendje të paguaj obligimet, detyrimet e saja ligjore fillimisht ndaj qytetarëve të saj e pastaj edhe ndaj kreditorëve të saj ndërkombëtar.

Për Alternativen, në mes të dhjetëra çështjeve tjera serioze, qeverisja që seriozisht rrezikon bankrotimin financiar dhe funksionimin e shtetit të Kosovës është arsyeja më përmbajtësore dhe më urgjente pse kjo qeveri, ky kuvend dhe ky president duhet të largohen sa më parë nga aty ku janë dhe të shpallen zgjedhjet e e reja.

Prandaj Alternativa kërkon që:

1. Sa ma parë të caktohet data e zgjedhjeve të ardhëshme nacionale
2. Të merren me seriozitet Raportet e Auditorit nga institucionet përgjegjëse dhe të sanksionohen ata që kanë abuzuar me paranë e shtetit .
3. Alternativa thërret, partitë opozitare të dakordohen për strategjinë zgjedhore dhe përcaktojnë standardet e qeverisjes të cilat do të përfshijnë:

a. Përcaktimin e qartë të prioriteteve qeverisëse përfshirë masat e menjëhershme për ndaljen e migrimin e të rinjëve nga Kosova
b. Reformën e thellë të administratës publike
c. Planin strukturor për balancim e buxhetit të shtetit
d. Ri-shikim të projekteve kapitale dhe përcaktim të standardeve për investime, në të cilat duhet të përfshihen vlerësimet mjedisore dhe sociale
e. Përcaktimin e axhendës së integrimit dhe kthimin në binarë të zbatimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit

Share This