Qëndrimet pro ekipit negociator kanë ndikuar që Ilir Deda, një nga themeluesit e partisë Alternativa, të distancohet po nga kjo parti, pasi që anëtarët e tjerë kishin qenë kundër, duke përfshirë edhe kryetaren Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se kryesia e partisë nuk e ka mbështetur ligjin për dialogun dhe ekipin negociator, por që nënkryetari Ilir Deda kishte qenë pro.

Ajo thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, tregon se kush ka vepruar në mënyrë të duhur.

Kusari tha se Deda ka qenë vetëm në një mbledhje të kryesisë kur është diskutuar e ardhmja e subjektit në raport me bashkëpunimin me partitë tjera, ndërsa në mbledhjet tjera nuk ka marrë pjesë.

Ajo potencon se Alternativa është duke e vazhduar aktivitetin e saj, teksa ka folur për vështirësitë të cilat po i hasin.

Ajo ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës që nga shtatori i vitit të kaluar ka ndalur fondin e demokratizimit për Alternativën, si rrjedhojë e daljes së saj dhe deputetit Ilir Deda nga grupi parlamentar i LDK-së.

Ajo ka treguar se nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është vendosur kushti se nëse dëshirojnë fondin duhet të kthehen në grup parlamentar, e për këtë Kusari thotë se është absurde.

Alternativa në zgjedhjet e fundit ka kandiduar në një listë me LDK-në, e në rast të zgjedhjeve të reja, Kusari tregon se për kë kanë vija të kuqe.

Ajo është shprehur e bindur se nëse partitë opozitare bashkëpunojnë suksesi në zgjedhje nuk do të mungojë./KosovaPress/

Share This