Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, organizoi pritje lamtumirëse në ambientet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Të pranishëm ishin kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufca, shefja e GP të Lëvizjes VETËVENDOSJE znj. Mimoza Kusari-Lila, deputetë, ministra e zëvendësministra.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, kryetare e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është momenti për të falënderuar dhe për të vlerësuar kontributin historik që Ambasadori Hovenier ka dhënë në konsolidimin e marrëdhënieve të jashtëzakonshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me përkushtimin e tij të palodhur dhe përfaqësimin dinjitoz të shtetit amerikan, ai ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në avancimin e demokracisë, stabilitetit dhe partneritetit të fuqishëm që lidh dy kombet tona.
“Lamtumirë jo, por mirë u takofshim përsëri, Ambasador Jeff Hovenier dhe zonja Laura!
Mirënjohje e thellë për përkushtimin tuaj të palodhshëm ndaj Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve tona të veçanta historikisht.
Kontributi juaj dhe shtetit që me krenari dhe dedikim keni përfaqësuar, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në avancimin e demokracisë dhe partneritetit të ndërsjellë dhe do të mbetet gjithmonë i çmuar.
Ju uroj nga zemra suksese të mëtejshme në kapitullin tuaj të ri dhe mos harroni: Kosova do të jetë gjithmonë një shtëpi e dytë dhe një vend ku do të gjeni miq të vërtetë.
Faleminderit për gjithçka!”, është shprehur kryetarja znj. Mimoza Kusari-Lila.