Kusari-Lila: Kemi arritur të tregojmë se assesi dhe me asnjë çmim toka e shtetit nuk tregtohet për pazare e hesape të të tjerëve

Lëvizja VETËVENDOSJE, Alternativa dhe partia Guxo, kanë hapur fushatën zgjedhore me një tubim madhështor në Gjakovën e yjeve, siç ka thënë kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila.

Para masës së madhe të qytetarëve të mbledhur për të përkrahur kandidatët për deputetë u prezantua plani për katër vitet e ardhshme, një vizion i qartë për zhvillim dhe përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta qytetare e kombëtare.

Kryetarja e Alternativës dhe kryesuese e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari-Lila, theksoi se fitorja po fillon mbarë nga Gjakova. Ajo vlerësoi mbështetjen e lartë të qytetarëve të Gjakovës për këtë qeverisje.

“E filluam nga Gjakova, e nga aty vazhdojmë në krejt Republikën, cep më cep deri më 9 shkurt, drejt fitores së 500 mijë zemrave që rrahin si një te numri 118”, ka thënë ajo.

“Jam krenare me të gjithë që jeni sonte këtu me ne dhe mbështetjen dhe dashurinë e parezervë që na jepni. Sot Gjakova dhe e tërë Kosova po tregojnë çdo ditë e më shumë, çdo herë e më fort se nuk ka rrugë tjetër, se nuk ka më mirë se fitorja jonë cep më cep do të vijë edhe më e fuqishme më 9 shkurt 2025”, është shprehur kryetarja Mimoza Kusari Lila.

“Përvoja jonë e katër viteve nuk ishte e lehtë, jemi goditur e sfiduar në format më brutale. Fatkeqësisht, nga ata që e bën jo për të ushtruar demokracinë por për të tentuar të barazojnë të bëmat e tyre të kaluara me sajesat e tyre të sotme për pozitën e qeverisnë Kurti, por nuk ia dolën. Ne kemi arritur të tregojmë se assesi dhe me asnjë çmim toka e shtetit nuk tregtohet për pazare e hesape të të tjerëve. Ne kemi treguar se koha e kompromiseve dhe e atyre pazareve ka kaluar bashkë me kohën e qeverisjes së tyre. Për katër vite kemi dëshmuar se se prona e shtetit nuk blihet me 50 euro ari, që pastaj ti shitet shtetit me 5 mijë ose 7 mijë euro ari”, ka thënë mes tjerash Kusari Lila.

Kryeministri z. Albin Kurti falënderoi Gjakovën për përkrahjen e madhe që i ka dhënë qeverisë dhe shtetit nëpër sfidat që kemi kaluar. Ai u zotua se qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do t’i gënjejë e as zhgënjejë qytetarët dhe se bashkë me ta do të angazhohet cep më cep për një qeverisje që sjell zhvillim me punësim dhe garanton të drejtat e liritë për secilin pa dallim në Republikë.

“Kemi nevojë që përditë, për çdo orë, gjithandej, të ngriheni bashkë me ne, të dëgjoheni bashkë me ne, të punoni bashkë me ne, të angazhoheni bashkë me ne, të bëhemi bashkë, të jemi bashkë, sepse bashkë fitojmë dhe vetëm bashkë duhet të fitojmë. Vetëm së bashku mund ta përparojmë Gjakovën dhe krejt Kosovën cep më cep. Le të jemi bashkë në punë, në barazi e për begati, nga populli te Republika, nga Gjakova te Kosova, cep më cep pa korrupsion, me zemër drejt fitores, drejt 500 mijë zemrave që rrahin si një në numrin 118”, theksoi Kryeministri Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, në fjalën e tij deklaroi se me mbështetjen në Gjakovë e cep më cep Kosovës, do ta urojmë edhe për një mandat tjetër z. Albin Kurti në udhëheqjen e Republikës. Ai e përmbylli fjalën e tij me thënien popullore: “Rruga e mirë nuk ndërrohet”.

Në këtë tubim fjalën e ka marrë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, bashkëkryetarja e partisë Guxo dhe kandidate për deputete, znj. Donika Gërvalla.

Bashkë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Republikën e Kosovës!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës