Qarkaxhija dhe Dobruna me bjeshkatarët, për një natyrë të mbrojtur dhe turizëm të qëndrueshëm

Pas një dite të mbushur me takime dhe aktivitete, kandidatët për deputetë nga Alternativa, pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE, z. Agon Dobruna dhe znj. Diana Qarkaxhija vizituan edhe anëtarët e Shoqatës së Bjeshkatarëve SHBA “Pashtriku”. Ishte një mundësi fantastike për të shkëmbyer ide, për të diskutuar mbi rëndësinë e sporteve malore dhe për të nxitur vlerat e jetesës së shëndetshme në harmoni me natyrën.

Qarkaxhija dhe Dobruna dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj çështjeve që lidhen me zhvillimin e turizmit malor dhe ruajtjen e pasurive natyrore të Kosovës. Të dy kandidatët theksuan rëndësinë e promovimit të bjeshkatarisë jo vetëm si sport, por edhe si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e mjedisit.

“Kosova është e bekuar me bukuri të rralla natyrore dhe terrene ideale për aktivitete malore. Shoqata “Pashtriku” ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e këtyre vlerave dhe në krijimin e një komuniteti të fortë sportdashësish që ndajnë pasionin për natyrën dhe ecjet malore”, kanë thënë ata.

Kandidatët për deputetë shprehën angazhimin e tyre për të mbështetur iniciativa që ruajnë biodiversitetin dhe që krijojnë mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në vendin tonë. Ata theksuan se bjeshkataria, përveçse një aktivitet fizik i dobishëm, është edhe një mënyrë për të njohur dhe vlerësuar më shumë thesaret natyrore të Kosovës.

Së bashku ranë dakord se është jetike që të ruajmë natyrën për brezat e ardhshëm dhe të krijojmë politika që mbështesin zhvillimin e saj të qëndrueshëm.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës