Homazhe në nderim të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, plagë që ende nuk është mbyllur

Lule të freskëta mbi varret e tyre – një gjest i thjeshtë, por i rëndë sa pesha e dhimbjes që koha nuk e zbut. Brezat e shqiptarëve nuk harrojnë, se pishtari i lirisë bartet me sakrificë, nga dora e njërit te tjetri, për të mos lejuar që errësira të mbulojë përparimin e popullit tonë.

Në këtë ditë plot dhimbje, kryeministri z. Albin Kurti, së bashku me zv. kryeministrin z. Besnik Bislimi, kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca, kryesuesen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetare e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, familjarë, miq, ministra, deputetë dhe aktivistë, u përkulën me respekt pranë varreve të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit. Më pas, u mblodhën te Pllaka Përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, për të kujtuar dy jetë të shuara padrejtësisht, por kurrë të harruara.

Ishte 10 shkurti i vitit 2007 kur Arbeni dhe Moni, bashkë me mijëra të tjerë, dolën në rrugë jo për veten e tyre, por për Kosovën, për drejtësinë për të vendosur vetë për fatin e popullit. Por në vend të drejtësisë, ata u përballën me plumba. Policia rumune e UNMIK-ut hapi zjarr mbi trupat e pambrojtur të protestuesve, duke shuar dy jetë të reja, duke lënë pas dhimbje të pashlyeshme dhe një boshllëk që ende nuk është mbushur.

Sot, pas 18 vitesh, heshtja e drejtësisë është po aq e zhurmshme sa krismat e asaj dite. Nuk ka fajtorë të dënuar, nuk ka ndëshkim për ata që urdhëruan dhe shtypën me dhunë zërin e popullit.

Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës