Përulje dhe nderim me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Kryertari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna dhe sekreterja znj. Diana Qarkaxhija të shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tjerë kanë bërë homazhe pranë lapidarit, Shokët e Lirisë në Gjakovë me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ata kanë uruar qytetarët e Republikës në këtë ditë feste.

“Kosova po forcohet si shtet dhe si republikë, duke ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe demokratike. Sakrifica e bijave dhe bijve të saj, heroizmi i komandantit Adem Jashari dhe kontributi i përfaqësuesve shtetërorë për më shumë se 17 vite kanë qenë themel për zhvillimin e vendit. Institucionet po forcohen, sfidat po tejkalohen, dhe Kosova vazhdon rrugën e saj të zhvillimit”, ka thënë Dobruna.

Edhe kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila ka përcjellur urime me rastin e kësaj feste.

“Jemi me fat dhe me krenari të madhe që jetuam për të parë lindjen e shtetit tonë të dashur, Kosovës – një shtet i ngjizur nga aspirata shekullore e popullit për liri, pavarësi dhe demokraci. Kjo liri e shumëpritur u ndez nga sakrifica sublime e brezave, u forcua nga betejat heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vulos me përkrahjen vendimtare të Aleancës më të fuqishme e demokratike, e cila i doli në ndihmë popullit të Kosovës në momentet më të vështira të historisë sonë”, ka thënë ajo.

“Në këto 17 vite të shtetësisë, Kosova ka kaluar sfida të mëdha, por edhe ka shënuar arritje të rëndësishme. Me histori të lavdishme pas dhe me një të ardhme të përcaktuar qartë drejt integrimit evropian, ne vazhdojmë të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm, të zhvilluar dhe demokratik, ku vlerat e lirisë dhe të drejtësisë mbeten busulla jonë udhëheqëse”, ka thënë mes tjerash Kusari Lila.

Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë, Kosovë!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës