Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila duke kujtuar 147 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka thënë se 10 Qershori është dita e amanetit kombëtar. Ajo ka shtuar se, kjo datë mbart shpirtin e qëndresës dhe të lirisë shqiptare.
“10 Qershori është një datë që mbart ngjarje domethënëse për shqiptarët dhe shtetin e tyre, me një emërues të përbashkët: mbrojtjen e tokës, lirisë dhe të drejtës për një shtet sovran.
Në historinë e re të kombit, 10 Qershori vazhdon të shënohet si një datë me rëndësi të veçantë për lindjen dhe formimin e shtetit të Kosovës.
📍 10 Qershor 1878 – U themelua Lidhja e Prizrenit, organizimi i parë politik gjithëkombëtar për të ruajtur tokat shqiptare nga copëtimi pas disfatës së Perandorisë Osmane. Ishte zëri i parë modern i vetëdijes kombëtare.
📍 10 Qershor 1999 – NATO ndal sulmet ajrore kundër forcave serbe, duke hapur rrugë për zbatimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova, ndërsa u hap rruga për çlirimin dhe vendosjen e paqes.
📍 10 Qershor 2007 – Presidenti amerikan George W. Bush, gjatë vizitës në Tiranë, shpalli qartë: “Vjen momenti, më herët se sa më vonë, kur duhet thënë – mjaft më! Kosova është e pavarur!” Një deklaratë që vulosi mbështetjen për pavarësinë e vendit tone”, ka thënë kryetarja Kusari Lila.
“Lidhja është gjallë sepse idealet e saj janë ende gjallë. Sot, përballë sfidave të brendshme dhe jashtme, kujtesa historike na thërret që të qëndrojmë të bashkuar, të vendosur dhe krenarë. Kosova nuk ka kthim prapa. Ajo ecën përpara me dinjitet, guxim dhe besim në vetvete”, ka shkruar ajo.
“Amaneti i Lidhjes është mbrojtja e shtetit”, ka theksuar Kusari Lila.

