Në Prizrenin e traditës, shkencës dhe inovacionit, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, vizitoi dy gra frymëzuese që po lënë gjurmë të thella në ruajtjen e vlerave dhe krijimin e risive në këtë qytet të pasur me histori dhe ide.
“Zonja Ajtene Krasniqi, me pasion dhe përkushtim, na rrëfeu rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm në kërkimin dhe prodhimin e ilaçeve natyrale dhe suplementeve ushqimore me bazë bio. Me vizion dhe besim në fuqinë e natyrës, ajo po kontribuon në përmirësimin e shëndetit dhe promovimin e një kulture të re të shërimit natyral”, ka theksuar ajo pas vizitës te shkencëtarja Ajtene Krasniqi.
“Artizanja Ergyl Gjurgjealo, me dashuri e fanatizëm, po ruan dhe promovon plisin – simbolin e identitetit kombëtar – të cilin familja Gjurgjealo e punon që nga viti 1912, duke përfshirë katër gjenerata që kanë mjeshtëruar artin e ruajtjes së vlerave dhe traditës. Pavarësisht sfidave të shumta, ajo vazhdon me krenari të punojë, duke i dhënë jetë traditës dhe shpirtit shqiptar, ndërsa kërkon mënyra për zgjerimin e prodhimit dhe zhvillimin e produkteve me bazë të njëjtë me plisin”, ka thënë ajo pas vizitës te artizanja Ergyl Gjurgjealo.
Kusari Lila ka theksuar se, këto dy gra janë shembuj të vërtetë të fuqisë krijuese dhe frymëzimit për një të ardhme me rrënjë të forta dhe vizion të gjerë.
“Vizioni dhe misioni i Alternativës bazohet pikërisht në këto vlera: promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, ruajtjen e mjedisit dhe ndërtimin e politikave miqësore ndaj natyrës; mbështetjen e inovacionit, fuqizimin e prodhimit vendor, rritjen e eksportit dhe punësimit në Kosovë; si dhe fuqizimin ekonomik të grave, barazinë në shoqëri dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët”, ka vënë në dukje kryetarja e Alternativës.



