Alternativa organizoi panelin e dytë në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Hapura të Alternativës.
Profesionsitë për trajtimin e varësive dhe familjarë të personave që përballen me varësi, Dr. Skender Bacaj- pulmolog, Merkur Beqiri, Ganimete Pashoja Myftiu dhe Muharrem Ademi trajtuan një nga sfidat më serioze të kohës sonë: varësinë nga droga, duhani, lojërat elektronike dhe të tjera që po prekin gjithnjë e më shumë familjet tona.
Panelistët ndanë njohuritë, përvojat dhe rekomandimet e tyre për parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e personave të prekur.
Është e dukshme që në Kosovë, në katër vitet e fundit, ka pasur progres në identifikimin dhe trajtimin e personave me varësi, por ende ekziston nevoja që sistemi publik të përforcohet me mbështetje nga organizatat e tjera. Gjithashtu, është vërejtur përmirësim në furnizimin me medikamente që ndihmojnë në shërimin nga varësitë.
U theksua si e domosdoshme ndërveprimi dhe koordinimi i aktiviteteve ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, për krijimin e një programi gjithëpërfshirës që do të shtrijë aktivitetet sportive dhe kulturore në të gjitha nivelet e edukimit fillor dhe të mesëm në sistemin publik, si dhe të forcojë aktivitetet jashtëkurrikulare.
Ky diskutim ishte një hap tjetër drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse në hartimin dhe miratimin e politikave legjislative dhe qeverisëse për të adresuar sfidat e kohës.






