Gjakova me zemrën e madhe që ka, mirëpriti kandidatët për asamble komunale nga Alternativa dhe Vetëvendosje.
Edhe një herë iu dha mbështetje e pakursyer e përbashkët për kandidatin për kryetar të komunës, prof. Ardian Gola.
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, u shprehën se, për Gjakovën po hapet kapitulli i ri i fitores, zhvillimit dhe angazhimit qytetar.
Fjala e plotë e kryetares së Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila:
Të dashur qytetarë të komunës së Gjakovës,
Të dashur vepritarë e aktivist të Alternativës e Lëvizjes Vetëvendosje,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti,
I nderuar kolegë e bashkëpunëtor, kryetar i ardhshëm i Komunës së Gjakovës, Ardian Gola,
Bashkëpunëtorë, kolegë deputetë e Ministra, Ministre Nagavci, dr. Drita Buza, kryetar i qendrës së LVV Agon Batusha,
Kandidate e kandidatë për Kuvendin Komunal të Gjakovës, bashkëpunëtorë të ardhshëm të Kryetarit Ardian Gola,
Jam para jush sonte me një ndjenjë të veçantë të mirënjohjes, përulësisë dhe vlerësimit për ju që na qëndruat e vazhdoni të na qëndroni afër për një dekadë e gjysmë!
Aktualisht në Kosovë, pa u përmbyllur rezultati i një palë zgjedhjeve paraprake, atyre të nivelit nacional, po hyjmë në një proces të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, për dallim nga kompleksiteti i zgjedhjeve nacionale, historia jonë e re e tregon se zgjedhjet lokale janë më të kjarta në rezultatin e tyre dhe procesi përmbyllet shumë më shpejt. Ju të nderuar qytetarë, e keni në dorën tuaj të tregoni dhe përjetoni ndryshimin shumë të nevojshëm në qeverisjen lokale në komunën e Gjakovës.
Ky qytet e kjo komunë, e mbushur me histori e lavd, dhimbje e krenari, vendi vlerave patriotike e intelektuale, vizionare, kritike e atdhedashëse, e ka shansën të zgjedhë me 12 tetor, profesorin, intelektualin, patriotin dhe luftëtarin, kolegun tim nga legjislatura e VIII-të, Ardian Golën. Kur më është dashur ta përshkruaj Golën, siç e quajmë ne për të tjerët e kam përshkruar me një fjalë, ai është mishërim i krejt çfarë përfaqëson Gjakova jonë. Këtu në këtë vend, ku secili gur ka një histori e secila shtëpi një tregim për të kaluaren, ka ardhur koha të ndërtojmë e shkruajmë të ardhmen, duke i mbetur besnik të gjitha vlerave që përfaqëson kjo komunë, duke e ndërlidhur e mishëruar etikën e integritetin me profesionalizimin dhe vizionin për komunën bashkohore, e cila të gjitha resurset dhe potencialet e veta i vë në shërbim të interest publik, dhe jo në shërbim të interesit partiak e personal.
Projekte madhore kanë ngecur e po ngecin në komunën e Gjakovës, pasi ato nuk paraqesin profit për grupin që qeveris aktualisht. Ngrohtorja e qytetit të Gjakovës, e vetmja me biomasë dhe kogjenerim në ketë pjesë të Ballkanit Perendimor, po ngec në ofrim të shërbimeve dhe nuk ka asnjë progres në zgjerim e shpërndarje të rrjetit të saj. Ndërtesa e Kuvendit Komunal, për tetë vite nuk arriti të finalizohet, se u desht të ndryshohej projekti e operatorët që të rritet fitimi, por ngec shërbimi për qytetarët. Ndërlidhja e një mori projekteve me Malësinë e Gjakovës, ka ngecur e nuk ka vizion për të zhvilluar tutje ato.
Gjakova ka nevojë të rikthejë potencialin e saj që ia ka falur natyra dhe pozita e saj gjeografike, në mirëqenie për te gjithë qytetarët e kësaj komune dhe komunave përreth.
Me investimet e qeverisë në ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, me segmentin për Gjakovë – Shkodër, me zgjerimin e kapaciteteve ushtarake dhe shërbimit shtesë në aeroportin e Gjakovës, Gjakova mëton të bëhet qendër e zhvillimit të industrisë dhe turizmit për Kosovë dhe Shqipëri të veriut.
Ashtu sikur ishin të qartë votuesit e Gjakovës në zgjedhjet nacionale, duke e votuar më shumë profesorin Gola, se sa kryetarin në largim të Komunës së Gjakovës, ashtu, do të shohim përbashkim të votuesve të të gjithë neve që garuam në këto zgjedhje, ta finalizojnë mandatin për kryetar të komunës së Gjakovës, Ardian Golën.
Për të siguruar fitoren e qartë të Golës, jemi bashkë Lëvizja Vetëvendosje me Alternativën me plot 72 kandidatë për Kuvendin komunal. Të sigurohemi që bashkëpunimi ynë Alternativë – Lëvizja Vetëvendosje, në nivelin lokal për të treten herë me radhë, kurorëzohet me fitore të madhe. E treta e vërteta dhe fitorja jonë vuloset me 12 tetor.
Gjakova Meriton më shumë dhe me Ardian Golën do të ketë më shumë!
Gjakova Meriton më mirë dhe do ta ketë më mirë më Ardian Golën!
Për Gjakovën e kuqe dhe krenare, bashkë jemi për Ardian Golën Kryetar të komunës!
#AlternativaEGjakovës












































