Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila në kapacitetin e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, zhvilloi një takim me znj. Carole Megevand nga Banka Botërore, në një moment vendimtar për Kosovën.
Takimi u fokusua në një paketë marrëveshjesh që sjellin mbi 200 milionë euro investime në financa publike, zhvillim ekonomik, energji të gjelbër, transport, shëndetësi dhe arsim të hershëm.
Në këto projekte përfshihen fonde të mëdha për rritje të gjelbër, infrastrukturë, forcim të sistemit shëndetësor, siguri financiare dhe përmirësim të arsimit. Kusari-Lila theksoi se këto projekte nënkuptojnë vende pune, mundësi për të rinjtë dhe institucione më transparente që ndihmojnë drejtpërdrejt qytetarët.
Deklarata e Mimoza Kusari-Lilës:
Sot zhvillova një takim të rëndësisë së veçantë me znj. Carole Megevand, Menaxhere e vendit (Country Manager) nga Banka Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në një moment kur Kosova gjendet përpara disa vendimeve të rëndësishme.
Bëhet fjalë për ratifikimin e një paketë marrëveshjesh ndërkombëtare që sjellin mbi 200 milionë euro investime direkte për vendin tonë, investime që mbështesin: financat publike,
zhvillimin ekonomik, energjinë e gjelbër, transportin, shëndetësinë dhe arsimin e hershëm.
Në këtë paketë përfshihen projekte për efektivitetin fiskal dhe rritjen e gjelbër prej 90.3 milionë eurosh, modernizimi i tregtisë dhe infrastrukturës së transportit me 52 milionë euro, forcimi i sistemit shëndetësor përmes projektit KOMPAS me 20 milionë euro, zgjerimi i sigurisë financiare dhe qasjes në kredi me 52 milionë euro, si dhe përmirësimi i arsimit të hershëm me 22 milionë euro.
Secila prej këtyre marrëveshjeve prek drejtpërdrejt shërbime që qytetarët i përdorin çdo ditë, nga kopshtet dhe spitalet, te rrugët, kufijtë, bizneset e vogla dhe energjia që përdorim në shtëpi.
Këto projekte janë vende pune, mundësi për të rinjtë, spitale më të sigurta, kopshtet ku fëmijët tanë mësojnë më mirë, dhe institucione më të forta që punojnë me më shumë transparencë. Janë hapat që e çojnë Kosovën drejt zhvillimit që e meritojmë.
Afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë duke u afruar, disa prej tyre në fillimin e vitin 2026 dhe rreziku që fondet të humben është real nëse Kuvendi nuk i ratifikin me shumicën e cilësuar prej dy të tretave.
Prandaj, në këtë fazë, politika nuk duhet të jetë pengesë, por përgjegjësi. Grupi Parlamentar i Lëvizjës VETËVENDOSJE! është plotësisht i gatshëm t’i votojë marrëveshjet menjëherë. Ato janë projekte të Kosovës dhe gjithë qytetarëve pa dallim partie apo qeverie.
Është momenti të tejkalojmë dallimet dhe të vendosim qytetarin në qendër. Mundësitë e mëdha nuk duhen humbur. Kosova duhet të ecë përpara, me investime, me zhvillim dhe me bashkëpunim institucional për të mirën publike.



