Këshilli i Përgjithshëm i Alternativës, në mbledhjen e radhës, ka diskutuar rreth përgatitjeve në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
Me përgjegjësi dhe qartësi politike, po hyjmë në këtë proces zgjedhor të gatshëm për të dhënë kontributin tonë në një ofertë të përbashkët që synon ndryshim pozitiv e më të mirë për vendin.
Alternativa, si parti liberale e qendrës, do të garojë në këto zgjedhje në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Guxo dhe PShDK, duke bashkuar energjitë, vizionin dhe vullnetin për t’i ofruar qytetarëve një opsion serioz dhe të përgjegjshëm politik.
Së shpejti do të bëhen publikë edhe kandidatët për deputetë të Alternativës, të cilët do të jenë pjesë e listës së përbashkët për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kandidatë profesionistë, të përkushtuar dhe të gatshëm të përfaqësojnë me dinjitet vlerat tona.
Alternativa është e gatshme, e përgatitur dhe optimiste për këtë garë. Me vizion të qartë dhe me besim në punën tonë, po hyjmë në këto zgjedhje me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.



