Kandidatët për deputetë nga Alternativa, pjesë e listës së koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija, realizuan një vizitë në Shoqatën “Autizmi”.
Shoqata, e themeluar në vitin 2011, ofron shërbime ditore për fëmijët me autizëm. Megjithatë, për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare, aktualisht nuk mund të ofrohet qëndrim tërëditor për fëmijët, theksoi drejtoresha ekzekutive Hatixhe Hoxha.
Gjatë takimit, ajo i informoi kandidatët Thaçi dhe Qarkaxhija për sfidat e përditshme në procesin e rehabilitimit, si dhe për paragjykimet që fatkeqësisht vazhdojnë të prekin personat me autizëm.
U nënvizua nevoja që politikat sociale të garantojnë përfshirje dhe mbështetje të plotë për këtë komunitet.
U rikujtua gjithashtu se ligji për personat me aftësi të kufizuara ka mbetur i bllokuar në Kuvend që nga viti 2016, duke lënë shumë familje pa mbështetjen e nevojshme.
Shoqata kërkon nga shteti sigurimin e shërbimeve falas, pasi kostot aktuale janë të papërballueshme për shumë familje.
“Ne mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve me autizëm dhe në sigurimin e mbështetjes së duhur për këtë komunitet”, janë shprehur ata.





