Vizitë zonave të dëmtuara nga reshjet e shiut në Gjakovë

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj ka qëndruar gjatë ditës në Gjakovë dhe së bashku kanë vizituar disa zona të dëmtuara nga vërshimet.

“Situata pas vërshimeve në disa komuna të Kosovës mbetet nën kontroll, por e rënduar. Për të parë nga afër pasojat e vërshimeve të djeshme dhe për të biseduar me banorët e zonave të prekura, sot në Gjakovë, së bashku me bashkëpunëtorët nga Alternativa, vizituam disa lokacione me pasojat më të rënda”, ka thënë ajo.

“Fillimisht u ndalëm në Impiantin e ujërave të ndotura, të menaxhuar nga KRU “Gjakova”, ku me kryeshefin e ndërmarrjes, z. Hasan Krasniqi, diskutuam për kapacitetin e ndërmarrjes për t’u përballur me situatën e krijuar, si dhe për masat parandaluese që kompania kishte ndërmarrë për mbrojtjen e impiantit nga vërshimi i lumit”, është shprehur Kusari Lila gjatë vizitës në terren.

Kanë vizituar po ashtu lagjen Dardanian ë Piskotë, ku së bashku me Komandantin e Zjarrfikësve në Gjakovë, z. Xhevdet Brahimaj, kanë përcjellur nga afër punën e Brigadës në ndihmë të banorëve të prekur nga vërshimet.

“Numri i familjeve të prekura nga vërshimet e fundit në Komunën e Gjakovës është tejet i madh. Pothuajse çdo lagje në afërsi të lumenjve është e vërshuar. Një fat të tillë patën edhe familjet Demiri dhe Sallahu, të cilat i vizitova personalisht. Përveç evakuimit dhe strehimit të përkohshëm, këto familje kanë nevojë për zgjidhje afatgjata mbrojtëse për situata të ngjashme në të ardhmen. Rruga “Shote Galica” në Brekoc të Gjakovës është një nga zonat më të goditura nga reshjet e fundit. Së bashku me kryetarin e Bashkësisë Lokale të Brekocit, z. Sokol Balaj, vizituam familjet e prekura, ku u njoftuam nga afër me problemet infrastrukturore, mbeturinat inerte, ndërtimet pa leje dhe mungesën e strehimit për familjet në nevojë”, ka theksuar Kusari Lila.

“Sot, gjatë vizitës në rrugën “Bujar Roka” dhe “Bekim Fehmiu”, pamë nga afër pasojat e daljes nga shtrati të lumenjve “Erenik” dhe “Llukac”. Dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në ditët në vijim pritet vlerësimi i dëmeve dhe fillimi i rikuperimit të shpejtë të situatës, me bashkëpunimin e nivelit lokal dhe atij qendror. Disa ura janë dëmtuar rëndë nga rritja e nivelit të ujërave të lumenjve në Gjakovë. Krahas fenomenit natyror, vërehet qartë edhe ndikimi i faktorit njerëzor. Mirëmbajtja e shtretërve të lumenjve, investimet e projektuara profesionalisht dhe trajtimi i mbeturinave inerte duhet të jenë në fokus të veprimeve institucionale”, ka vlerësuar ajo.

Kryetarja e Alternativës ka thënë po ashtu se, kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi të plotë institucionale. Përtej menaxhimit të emergjencës aktuale, është thelbësore që të ndërmerren masa serioze parandaluese, me planifikim afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe zbatim të rreptë të ligjit, në mënyrë që dëme të tilla të mos përsëriten.

Ndërhyrja e shpejtë për sanimin e pasojave dhe mbështetja e drejtpërdrejtë për familjet e prekura duhet të jenë prioritet absolut.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2025 Alternativa e Kosovës