Presidenti Ibrahim Rugova, themeluesi shpirtëror, dhe arkitekti i shtetit të Kosovës

Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, së bashku me bashkëpunëtorë, Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, Kryetaren e partisë GUXO, Donika Gërvalla, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

“Sot, me përulje dhe respekt, bëmë homazhe dhe vendosëm lule të freskëta te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Përkujtimi i tij nuk është vetëm një akt nderimi, por një rikujtim i fuqishëm i rrugës që ai i dha popullit dhe shtetit tonë. Presidenti Ibrahim Rugova mbetet një figurë madhore e historisë sonë kombëtare, arkitekt i vizionit për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të ndërtuar mbi paqe, dije dhe dinjitet njerëzor. Në kohët më të errëta për popullin tonë, ai zgjodhi mençurinë mbi dhunën, dialogun mbi hakmarrjen dhe dijenë mbi frikën”, është shprehur ajo.

“Si intelektual i rrallë, dhe udhëheqës me vizion të qartë, Rugova e kuptoi se arsimi ishte arma më e fuqishme e qëndresës sonë kombëtare. Ndërtimi i sistemit paralel arsimor u bë një akt heroik i mbijetesës dhe dinjitetit, i mbajtur gjallë nga sakrifica e jashtëzakonshme e mësimdhënësve dhe prindërve, që besuan në të ardhmen edhe kur gjithçka dukej e pamundur.Presidenti Rugova e ngriti zërin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke e bërë të njohur padrejtësinë, dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj një populli të pafajshëm. Ai i dha Kosovës një identitet politik dhe moral, duke e vendosur çështjen tonë në zemrën e diplomacisë botërore”, ka theksuar Kusari Lila.

Lavdi e përjetshme jetës, veprës dhe vizionit të Presidentit tonë, Ibrahim Rugova.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2025 Alternativa e Kosovës