Ëndrra shekullore e shqiptarëve u bë realitet dhe amaneti i të rënëve u përmbush me shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, në këtë ditë historike 18 vite më parë.
Ky përvjetor e gjen Republikën e Kosovës me arritje të prekshme dhe suksese të ndërtuara mbi sakrificën e dëshmorëve dhe përkushtimin e brezave që luftuan për liri. Çdo hap përpara mban brenda tij gjurmën e atyre që besuan në një Kosovë të lirë.
Liria për të cilën sakrifikuam kaq shumë kërkon përditë përkushtim. Ajo kërkon demokraci funksionale, institucione të forta dhe zë të garantuar për çdo qytetar, pa dallim. Sot kemi shtet që forcon sundimin e ligjit, mbron të drejtat e njeriut dhe respekton dinjitetin e çdo komuniteti.
Republika jonë është më e fortë se kurrë. Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, rendi dhe ligji po konsolidohen, ndërsa po ndërtojmë një shtet solidar që kujdeset për qytetarët e vet. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë e drejtë.
Ky është përvjetori i pestë në të cilin mungojnë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me një proces të padrejtë ndaj luftës së UÇK-së dhe vullnetit të popullit nga i cili ajo lindi. Por historia nuk mund të ndryshohet dhe drejtësia nuk mund të manipulohet. E vërteta e sakrificës sonë është e rrënjosur thellë në ndërgjegjen e këtij kombi.
Rruga jonë drejt lirisë dhe shtetit të pavarur është e pastër, e drejtë dhe e mbështetur mbi vlerat demokratike dhe idealin e lirisë.
I përjetshëm është shteti ynë e ne lartësofshim e nderofshim emrin Kosovë!







