Në ngjarjen e organizuar nga AmCham Kosovo me rastin e 4-vjetorit të Komitetit “Kosovo Women in Energy and Mining” ka folur edhe kryetarja e Alternativës, ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari Lila.
“Në panelin e moderuar nga Shqipe Vela, kryesuese e rrjetit, ishim bashkë me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së, Annu Prattipati, Zëvendësshefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, Drejtorin e ri të zgjedhur të KOSTT, Trim Tërnava, si dhe, drejtorin e AmCham Kosova, Arian Zeka. Bashkë patëm një diskutim të hapur dhe shumë të nevojshëm për të ardhmen e sektorit”, ka thënë mes tjerash ministrja Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se tranzicioni energjetik dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihen pa përfshirjen e plotë të grave, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si vendimmarrëse dhe lidere të proceseve transformuese. “Energjia dhe minierat nuk janë sektorë “tradicionalisht mashkullorë”, janë sektorë strategjikë, dhe strategjia kërkon gjithë përfshirje”, ka thënë ajo.
“Informova gjithashtu për projektet që po i zhvillojmë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,, me fokus në industrinë vendore, inovacionin dhe ekonominë qarkore si bazë për rritje të qëndrueshme. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me gratë dhe vajzat e sektorit dhe i ftova profesionistet që të angazhohen drejtpërdrejt me Ministrinë që drejtoj”, është shprehur po ashtu ministrja e MINTI-it.
“Dyert janë të hapura për ide konkrete dhe partneritete që sjellin ndryshim real. Urime WEM për 4 vite punë të jashtëzakonshme, rruga vazhdon, dhe duhet ta bëjmë bashkë”, ka theksuar ajo mes tjerash në këtë ngjarje.





