Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, kryetare e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila ka pritur në takim Shefin e Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Ambasadorin Eric Dietz.
“Shteti i Luksemburgut, përmes organizatës për zhvillim LuxDev, ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Republikën e Kosovës në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe sektorit privat. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është përfituese e kësaj asistence në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit, si dhe në sektorin e aftësimit profesional, në kuadër të një projekti të përbashkët me Ministrinë e Arsimit”, ka theksuar Kusari Lila.
Ajo ka theksuar se, gjatë takimit, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta, me fokus në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. “Shkëmbimi i përvojave më të mira ndërmjet dy shteteve tona mbetet një shtyllë e rëndësishme e këtij partneriteti”, ka thënë ajo.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar partneritetin strategjik me Luksemburgun, duke vlerësuar lart mbështetjen e deritanishme dhe duke synuar zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, është shprehur ministrja Kusari Lila.




