Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve Memë dhe Prend Lleshi është nderuar sakrifica e tyre

Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, familjarë të dëshmorëve e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe në përvjetorin e rënies së tyre.

“Në 27-vjetorin e rënies së tyre, sot nderuam me respekt dhe mirënjohje të thellë sakrificën e dëshmorëve Memë dhe Prend Lleshi, të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Kujtimi për ta u bë në praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, familjarëve të dëshmorëve Lleshi, bashkëluftëtarëve, bashkëpunëtorëve nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, si dhe bashkëvendasve nga Komuna e Gjakovës dhe komunat tjera”, është shprehur Kusari Lila.

Ajo ka theksuar se, janari i vitit 1999 mbetet i shënuar me gjakun e dëshmorëve, veçanërisht në epopenë e Rogovës së Hasit, si një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe më heroikë të luftës sonë çlirimtare.

“Rënia e Memë dhe Prend Lleshit është dëshmi e përhershme e qëndresës, trimërisë dhe sakrificës sublime për liri. Kujtimi për ta dhe për të gjithë dëshmorët e kombit mbetet obligim moral dhe institucional i yni, që amaneti i tyre të jetojë përmes punës dhe përkushtimit për zhvillimin dhe drejtësinë në Kosovë”, ka thënë me këtë rast kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila.

Lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi dëshmorëve të Vraniqit!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2025 Alternativa e Kosovës