Gjatë takimit u theksua nevoja për ngritjen e standardeve të prodhimit dhe shërbimeve në vend, si dhe përgjegjësia që bizneset kanë për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e sigurisë në vendin e punës. U vlerësua se një ekonomi e qëndrueshme dhe konkurruese ndërtohet mbi standarde të larta dhe besim të ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
Palët diskutuan për lehtësimin e procedurave të regjistrimit të bizneseve, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e rolit të grave në sektorin privat. U theksua se barazia gjinore dhe formalizimi i ekonomisë janë elemente kyçe për zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Në fokus të bisedës ishte edhe Plani i Rritjes dhe hapat konkretë që pritet të ndërmerren në kuadër të agjendës zhvillimore, përfshirë avancimin e Ligjit për Inovacion.
Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e përdorimit të barkodeve ndërkombëtare për Kosovën nga viti 2026, proces për të cilin është angazhuar Oda Ekonomike e Kosovës. Ministrja falënderoi Odën për angazhimin në këtë drejtim. Po ashtu, u diskutua për funksionimin e shoqatës së grave në biznes dhe bashkëorganizimin e forumeve ekonomike me përfshirjen aktive të diasporës dhe ambasadave të Republikës së Kosovës.
U bë e ditur se në javët në vijim do të nisin konsultimet e përbashkëta për projektligjet e agjendës legjislative, me theks në transparencë të plotë dhe përfshirje të gjerë të akterëve relevantë.



