Ministrja znj. Mimoza Kusari-Lila kryetare e Alternativës takoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë Shkëlqesinë e tij z. Tunç Angili, biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ministrja Kusari-Lila gjatë takimit me ambasadorin Angılı diskutoi për zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve, me theks në uljen e deficitit tregtar.
Gjatë takimit u diskutua edhe për organizimin e Forumit të Dytë Ekonomik Kosovë–Turqi, që këtë vit do të mbahet në Kosovë, si dhe për zhvillimin e parqeve industriale dhe mbështetjen e investimeve vendore dhe të huaja.
“Sot mirëprita në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Tunç Angılı, së bashku me bashkëpunëtoret e tij nga Ambasada Turke. Me ambasadorin Angılı diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit institucional, me theks të veçantë në uljen e deficitit të madh tregtar ndërmjet dy vendeve”, ka bërë të ditur Kusari Lila.
Ajo ka theksuar se, temë e këtij takimi ishte organizimi i Forumit të Dytë Ekonomik Kosovë–Turqi, i cili këtë vit do të mbahet në vendin tonë, duke krijuar mundësi të reja për lidhje biznesore dhe investime.
“Si Qeveri dhe si Ministri, do të punojmë intensivisht në zhvillimin e parqeve industriale dhe në mbështetjen e kompanive vendore dhe të huaja, të cilat e shohin Kosovën si destinacion të volitshëm për investim. Mbetemi të përkushtuar për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me partnerët dhe përfaqësuesit e shteteve mike”, ka theksuar ajo mes tjerash.



