Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike

Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës dhe në përputhje me premtimin e Kryeministrit Albin Kurti, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njëherësh kryetare e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike.

Projektligji synon të krijojë bazë ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë në rast të rritjes së papritur të çmimeve, mungesës së produkteve apo çrregullimeve në furnizim. Qëllimi i tij është mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimi dhe spekulimi gjatë krizave, përmes masave të përkohshme dhe proporcionale.

“Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova incimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan). Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg”, ka njoftuar ministrja Kusari Lila.

Ajo ka theksuar se, ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me:

– rritje të papritura të çmimeve

– mungesë të produkteve themelore

– çrregullime në furnizim

“Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik”, ka thënë ajo.

“Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, është shprehur ajo.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2025 Alternativa e Kosovës