Ministrja e MINTI -it znj. Mimoza Kusari-Lila nënshkroi kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili pas miratimit në Kuvend hap rrugën për krijimin e Fondit për Inovacion.
Kryetarja e Alternativës, ministre e MINTI -it ka thënë se, ky hap është ndërmarrë në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në, synon forcimin e mbështetjes për ndërmarrjet, inovacionin dhe ekonominë kreative, ndërsa në ditët në vijim pritet të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç për të trajtuar vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me Projektligjin.
“Sot nënshkrova kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Pas miratimit të tij në Kuvendin e Republikës, hapet rruga për krijimin e Fondit për Inovacion. Ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në. Në ditët në vijim do të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç, për të adresuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me Projektligjin”, ka theksuar ministrja Mimoza Kusari Lila.
“Me politika që kanë në fokus ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese, si dhe zhvillimin e inovacionit dhe kreativitetit, do të ofrohet më shumë mbështetje për inovacionin, ndërmarrësinë dhe ekonominë kreative”, është shprehur ajo.



