Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila kryetare e Alternativës, të martën ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me German Economic Team (GET), projekt disavjeçar pranë MINTI-t, ku u riafirmua përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit në funksion të mbështetjes së bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministrja theksoi se së bashku me GET-in do të vazhdohet puna për një mjedis të qëndrueshëm, me mundësi të reja zhvillimi.
“Fokusi ynë do të jetë në zhvillimin e parqeve industriale të gjelbra, për të mundësuar një tranzicion të mirëfilltë drejt ekonomisë së gjelbër. Investimet në ekonominë qarkore dhe në energjinë nga burime alternative nuk janë më opsion – janë domosdoshmëri për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, tha ministrja Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se partneriteti me miqtë ndërkombëtarë po përkthehet në politika konkrete, mbështetje për bizneset dhe zhvillim afatgjatë për vendin.



