Alternativa nderon viktimat e 2 prillit në Gjakovë

Alternativa, dega në Gjakovë në 27 vjetorin e vrasjes dhe masakrimit të 20 viktimave nga forcat serbe kanë bërë homazhe pranë varrit të përbashkët dhe kanë takuar familjarët e tyre.

“27 vite më parë, në mesnatën mes 1 dhe 2 prillit, forcat policore dhe paramilitare serbe hynë në shtëpinë e familjes Vejsa, ku vranë dhe dogjën të gjallë anëtarë të familjeve Vejsa, Caka, Gashi, Hoxha, Haxhiavdija, Nuçi dhe Cana. Masakra e 1 dhe 2 prillit mbetet një ndër krimet më të rënda të luftës së viteve 1998–99 dhe një nga plagët më të dhimbshme në kujtesën kolektive të popullit shqiptar të Kosovës. Sot, përfaqësues të degës së Alternativës në Gjakovë morën pjesë në homazhe për të nderuar martirët e lirisë. Lavdi jetës dhe sakrificës së të gjithë dëshmorëve dhe martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë!”, janë shprehur ata.

Edhe kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka kujtuar këtë përvjetor, duke u shprehur se është e pamundur të mos tronditet kushdo që kujton dëshmitë e asaj nate tragjike, trupa të karbonizuar, jetë të shuara mizorisht dhe familje të tëra të djegura në shtëpitë e tyre Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Nga foshnjat 2 vjeç e deri te të moshuarit 75 vjeç, askush nuk u kursye.

“Gjakova nuk harron, kujtesë që dhemb dhe thërret për drejtësi. Me dhimbje të thellë përkujtojmë viktimat e 1 dhe 2 prillit 1999, një plagë që mbetet e hapur në ndërgjegjen tonë kolektive. Krimet e luftës, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk i përkasin së kaluarës derisa drejtësia të vihet në vend. Është e pamundur të mos tronditet kushdo që kujton dëshmitë e asaj nate tragjike, trupa të karbonizuar, jetë të shuara mizorisht dhe familje të tëra të djegura në shtëpitë e tyre Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Nga foshnjat 2 vjeç e deri te të moshuarit 75 vjeç, askush nuk u kursye. Një nga krimet më të tmerrshme ndodhi 27 vjet më parë në bodrumin e familjes Vejsa, ku 20 gra, fëmijë dhe një burrë u vranë dhe më pas u dogjën, në një akt çnjerëzor që synonte të zhdukte jo vetëm jetët, por edhe kujtesën e tyre. Por kujtesa nuk shuhet. Emrat e tyre mbeten të gdhendur në historinë e Kosovës si dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës sonë. Ata nuk janë vetëm viktima të një regjimi kriminal, por simbol i sakrificës dhe i forcës që sot na obligon të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë. Në këtë përvjetor, përkulemi me respekt para kujtimit të tyre dhe ritheksojmë thirrjen që drejtësia të vihet në vend. Dhimbja mbetet, por edhe përgjegjësia për të mos heshtur kurrë. Kujtimi i tyre jeton çdo ditë në zemrat tona dhe na kujton se e vërteta nuk duhet të harrohet. Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë, të Gjakovës dhe gjithë Kosovës!”, ka kujtuar kryetarja Kusari Lila.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2025 Alternativa e Kosovës