Ministrja Kusari-Lila: E ardhmja e inovacionit do të ndërtohet nga gra të guximshme

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Prizren në aktivitetin “She Innovates”, ku u vu në pah energjia, guximi dhe potenciali i grave në inovacion dhe sipërmarrje.

Ky aktivitet, i organizuar për herë të parë nga Innovation Centre Kosovo (ICK), STIKK dhe Innovation and Training Park (ITP), u cilësua si një kujtesë se transformimi digjital nuk ka kuptim të plotë pa pjesëmarrjen e barabartë të grave. Sipas ministres, gjithnjë e më shumë gra po krijojnë vetë mundësi, duke ndërtuar biznese, duke hyrë në teknologji dhe duke udhëhequr me vizion, edhe në kushte sfiduese.

Ajo theksoi se sektori i ICT në Kosovë përfaqëson një histori suksesi që ka lindur nga nismat e sektorit joqeveritar, bizneset dhe talenti i të rinjve, por shtoi se tashmë ky sektor ka hyrë në një fazë të re, ku kërkohet kanalizim më i mirë përmes politikave të qarta, mbështetjes financiare dhe mekanizmave institucionalë që mundësojnë rritje të mëtejshme dhe zhvillim të ideve kreative.

Ministrja u shpreh se Kosova ka një mundësi të artë për të promovuar historitë e suksesit, veçanërisht ato të vajzave dhe grave në inovacion, duke prezantuar një imazh kreativ, inovativ dhe me potencial të vendit.

Gjatë takimeve, ajo i inkurajoi pjesëmarrëset që të vazhdojnë të besojnë në veten dhe idetë e tyre, edhe përballë pengesave, duke theksuar se shpesh dallimi nuk qëndron te mungesa e mundësive, por te vendosmëria për të vazhduar.

Në fund, ministrja theksoi përgjegjësinë e institucioneve për të krijuar më shumë hapësirë, mbështetje dhe mundësi konkrete për gratë sipërmarrëse dhe inovatore, duke shprehur bindjen se e ardhmja e inovacionit në Kosovë do të ndërtohet nga gra të guximshme.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2025 Alternativa e Kosovës