Përurimi i rrugës së re që lidh Kosovën me Shqipërinë: Një Hap përpara në bashkëpunimin dhe zhvillimin e zonës kufitare

Komuna e Gjakovës në territorin e saj ka 18 fshatra në zonën kufitare me Shqipërinë dhe deri më sot dy vendkalime kufitare, Qafë Morinën dhe Qafën e Prushit. Gjatë mandatit tim si kryetare e Komunës së Gjakovës në vitin 2016, kemi iniciuar ndërtimin e rrugës Dol – Kusar – Goden, me synimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës në anën tjetër të kufirit shqiptar dhe hapjen edhe të një rruge të përbashkët.
Segmentit rrugor prej 12 kilometrash në anën e Kosovës të përfunduar para disa viteve, muajin e kaluar iu shtua edhe segmenti prej 13 kilometrash në anën e Shqipërisë, investim i Qeverisë së Shqipërisë, i cili lidh Godenin e Kosovës me Dobrunë-Blinisht – Hasin e Shqipërisë.
Hasit në të dy anët e kufirit iu rikthye lidhja e natyrshme, duke mundësuar lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e banorëve të zonës kufitare.
Sot, bashkë me Ministrin Liburn Aliu, Zv/Ministrat Hysen Durmishi dhe Ali Tafërshiku, ish-Kryeministrin dhe deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetarin e Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Skender Durmishin, si dhe ish ambasadorin Qemal Minxhozi me zyrtarë qeveritarë lokalë të Bashkisë Has, përuruam këtë projekt i cili hap një rrugë të re për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët të kombit.
Bukuria dhe potenciali i zonës për turizëm dhe zhvillim ekonomik, përmes potencialit të energjisë së ripërtritshme, është i madh dhe me vlerë për të dy shtetet. Prandaj, kjo rrugë është vetëm një nismë fillestare pas së cilës do të pasojnë edhe shumë projekte të tjera përmbajtësore, të cilat do të ndikojnë në përparimin jo vetëm të zonës së Hasit dhe Malësisë së Gjakovës, por do të rrisin bashkëpunimin dhe ndërvarësinë e dy shteteve simotra.
Pengesat dhe ndalesat e dikurshme, po i kthejmë në rrugë të reja dhe mundësi zhvillimi.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës