Me dhembje të pashuar, Reçaku qëndron si një dëshmi e sakrificës së popullit të Kosovës dhe si një plagë që s’do të shërohet kurrë në zemrat e atyre që besojnë në liri dhe drejtësi. Masakra e Reçakut nuk është thjesht një ngjarje e hidhur e së kaluarës, por një pasqyrë e errësirës që përjetoi ky vend nën shtypjen dhe dhunën sistematike të regjimit serb të Millosheviqit.
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila bashkë me presidenten, znj. Vjosa Osmani, kryeministrin z. Albin Kurti, e zyrtarë të tjerë qeveritar e shtetëror, në përvjetorin e ekzekutimit të banorëve të kësaj ane kanë thënë se, Reçaku, me dëshmorët e tij, u bë zëri i një populli të shtypur dhe i një kombi që kërkonte të drejtën për të jetuar i lirë.
“Por, përtej dhimbjes, Reçaku është simbol i qëndresës. Është kujtesa që na kujton se liria nuk është e dhuruar, por e fituar me gjak e sakrificë. Çdo shpresë për një të ardhme të ndritur të Kosovës mbështetet në këtë sakrificë të përbashkët”, ka thënë ajo gjatë homazheve pranë varreve në Reçak.
Kurrë nuk do të harrojmë! Ky është zotimi ynë ndaj atyre që dhanë gjithçka për të ardhmen tonë, ka thënë mes tjerash Kusari Lila. Në çdo hap që ndërmarrim për ta ndërtuar një Kosovë sovrane, demokratike dhe të përparuar, kujtesa e Reçakut do të jetë udhërrëfyesja jonë. Dhimbja e asaj dite tronditi botën dhe u bë një thirrje për të gjitha shtetet demokratike që të veprojnë kundër gjenocidit dhe represionit që Serbia ushtronte ndaj Kosovës.
Reçaku nuk është vetëm një fshat në hartë, është një testament i forcës njerëzore përballë padrejtësisë dhe një flamur i ngritur për të drejtën e jetës dhe lirisë.