Më 24 shkurt janë bërë tre vjet nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia – tre vjet heroizëm, sakrificë dhe luftë për liri. Pavarësisht sfidave të mëdha, populli ukrainas ka dëshmuar guxim të jashtëzakonshëm.
Në këtë ditë domethënëse, kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila, thekson se Kosova ka qenë dhe do të mbetet një aleate e palëkundur e Ukrainës. Ajo është shprehur se, përmes përkushtimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ne qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike.
“Sot bëhen tre vjet nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia – tre vjet luftë, sakrifice dhe qëndrese të palëkundur. Pavarësisht vuajtjeve dhe shkatërrimit, populli ukrainas ka treguar guxim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të tij, duke frymëzuar mbarë botën.
Kosova, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës kanë ofruar mbështetje të parezervë për Ukrainën, duke u rreshtuar fuqishëm në krah të të drejtës, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Në këtë përvjetor, riafirmojmë solidaritetin tonë dhe përkushtimin për të qëndruar pranë Ukrainës deri në fitoren e saj”, ka theksuar kryetarja Kusari-Lila.
