Epopeja e UÇK-së mbetet përjetësisht testament i lavdisë dhe sakrificës së popullit shqiptar! Ajo është fryma e qëndresës, besnikëria ndaj atdheut dhe themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e Kosovës.
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka shprehur respekt dhe nderim të përjetshëm ndaj veprës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, bashkë me sakrificën e gjithë familjes Jashari. Ajo është shprehur se ata janë gurthemeli i lirisë dhe shtetit sovran të cilët shkruan me gjakun e tyre historinë e qëndresës dhe u shndërruan në dritë udhërrëfyese për brezat që vijnë.
“Epopeja e UÇK-së është betimi ynë i përjetshëm! Është përkushtimi ynë i palëkundur për të mos harruar, për të mbrojtur dhe për të ndërtuar një Kosovë që i nderon dëshmorët e saj me dinjitet, drejtësi dhe zhvillim. Jeta, vepra dhe sakrifica e Komandantit legjendar, Adem Jasharit, dhe e gjithë familjes Jashari, janë testamenti i lirisë dhe shtylla e shtetit tonë të përhershëm. Ata ranë, për t’u lartësuar përjetësisht mes heronjve, duke u bërë frymëzim për brezat që vijnë. Me emrin dhe gjakun e tyre është shkruar historia jonë, e cila do të jetojë për aq kohë sa të ketë frymë shqiptari mbi këtë dhe. Lavdi e përjetshme Epopesë së UÇK-së! Lavdi Dëshmorëve të Kombit!”, është shprehur kryetarja Mimoza Kusari Lila.









