Kryetarja Mimoza Kusari Lila ngushëllon familjen Saraqini pas ndarjes nga jeta të Përparim Saraqinit

Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka ngushëlluar familjen Saraqini me rastin e humbjes së familjarit të tyre, ish ushtarit të UÇK-së, policit të Kosovës, Përparim Saraqini.

Kryetarja ka thënë se, largimi i tij në amshim nuk është vetëm dhimbje e familjes, por edhe një plagë e hapur për Policinë e Kosovës dhe qytetin e Gjakovës, ku ai shërbeu me nder e devotshmëri deri në frymën e fundit. Ajo ka theksuar se ai ishte shembulli i një njeriu që besoi në vlerat e lirisë, barazisë dhe drejtësisë, duke i mbrojtur ato me të gjithë qenien e tij.

E nderuar familje Saraqini,

Me pikëllim të thellë dhe zemër të thyer mora lajmin për ndarjen nga jeta të djalit, bashkëshortit, vëllait dhe babait tuaj, ushtarit të lirisë, policit të Kosovës dhe njeriut të mirë të vendit tonë, Përparimit.

Largimi i tij në amshim do të lërë një zbrazëti jo vetëm në familjen tuaj, por edhe në Policinë e Kosovës dhe qytetin e Gjakovës, ku ai shërbeu me zell e përkushtim deri në fund.

Përparimi e jetoi jetën me përkushtim të plotë ndaj vlerave të lirisë, barazisë dhe rendit e ligjit. Iku shpejt, por la gjurmë që do të kujtohen gjatë mes nesh.

Ngushëllime familjes, kolegëve në Policinë e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Gjakovës e mbarë Kosovës!

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës