Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës, tashmë një ngjarje tradicionale që organizohet për të nëntin vit radhazi, vazhdon të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet punëdhënësve dhe punëkërkuesve në Kosovë. Ky panair ofron një platformë të hapur për bashkëpunim, duke krijuar mundësi konkrete punësimi, ndërtimi karriere dhe zhvillimi profesional. Organizuar në bashkëpunim nga Qeveria e Kosovës, Qeveria Gjermane përmes Agjencisë së Punësimit dhe GIZ Kosova, në partneritet me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna ka thënë se panairi ka mbledhur rreth 130 kompani dhe institucione pjesëmarrëse, të cilat prezantojnë oferta të ndryshme për punësim, praktika profesionale, trajnime dhe mundësi shkollimi.
“Tash e nëntë vite me radhë, Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës shërben si një hapësirë e cila bashkon punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke pasur kështu mundësi dhe përfitime të ndërsjella. Nën organizimin e përbashkët të Qeverisë së Kosovës, Qeverisë Gjermane, nepermjet Agjencisë së Punësimit, G.I.Z Kosova si dhe Universitetit të Prishtinës „Hasan Prishtina“ dhe Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, panairi mblodhi rreth 130 kompani e institucione pjesëmarrëse që do të promovojnë oferta të ndryshme për përfshirje në karrierë, oferta pune, punë praktike, trajnime, apo shkollim. Me mbi 500 vende te lira të punës në dispozicion në sektorë të ndryshëm, panairi pritet të ofrojë mundësi reale të përfshirjes në tregun e punës”, është shprehur ai.









