Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, në emisionin Interaktiv në Koha Vision, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare nuk do të ishte zgjidhja optimale për situatën aktuale politike në vend. Ajo ka folur edhe për kandidaten për Kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu si gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit.
“Nuk është çështja e emrit, është çështje e parimit. Është precedent i keq për të ardhmen që mund të krijojë përshtypjen se Haxhiu ishte vetëm një manipulim i Kurtit për të shtyrë partitë tjera të pranonin një kandidat tjetër’, ka thënë kryetarja Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se nuk është kundër nëse zgjedhjet mbesin si opsion i vetëm, por ato duhet të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet komunale, për të shmangur ngarkesën e tepërt ndaj qytetarëve.
“Kam thënë prej fillimit se mund të mbetet mundësia e vetme, por absolutisht jo më e favorshme për qytetarët. Mbajtja e një palë zgjedhjeve nacionale, pa rezultat në formimin e institucioneve, do të reflektonin keq për të gjitha partitë”, ka thënë ajo.
Duke folur për zgjedhjet lokale që tashmë është përcaktuar data, më 12 tetor 2025, ajo ka thënë se do të garojnë ndamas nga VETEVENDOSJE.
“Është shumë e rëndësishme që përveç se të kemi kandidat me program, të punojmë më shumë për promovimin e frymës liberale dhe atë se çfarë përfaqësojmë ne”, është shprehur ajo.