Sporti si mision shtetëror, Alternativa afër Komitetit Olimpik

Kryetarja e Alternativës, deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila ka vizituar të martën Komitetin Olimpik të Kosovës. Ajo ishte e shoqëruar nga deputetja znj. Jeta Statovci.

Gjatë takimit, presidenti z. Ismet Krasniqi i falënderoi deputetet për vizitën në KOK dhe i njohu ato me të arriturat e sportit kosovar, veçanërisht me medaljet olimpike që sportistët kanë fituar ndër vite dhe rolin e tyre të madh në promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

“E vlerësojmë lart punën, përkushtimin dhe angazhimin e pandalur të gjithë stafit të KOK-ut për promovimin dhe gjithëpërfshirjen e sportit në jetën e qytetarëve të Kosovës. Promovimi i vendit tonë, i vlerave dhe i talentit të sportistëve kosovarë ka arritur majat botërore, por ende nevojitet punë dhe angazhim për masivizimin e aktivitetit fizik në të gjitha disiplinat. Bashkë me Presidentin Krasniqi, biseduam për sfidat ligjore dhe mundësitë efektive për tejkalimin e tyre, veçanërisht në raport me realizimin e suksesshëm të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një projekt me rëndësi të madhe për shtetin tonë të ri’, është shprehur Kusari-Lila.

Nga KOK kanë theksuar se deputetja Kusari-Lila, është e njohur për angazhimin e saj në sport si pjesëmarrëse e rregullt në gjysmëmaratonën e Prishtinës e në vrapime të tjera të organizuara, duke shërbyer si shembull dhe frymëzim për të rinjtë që të jenë aktivë dhe të kujdesen për shëndetin e tyre përmes sportit.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës