“Srebrenica mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen e njerëzimit — vendi ku toka ende mban erën e gjakut të mbi 8 mijë djemve dhe burrave boshnjakë, të vrarë me mizori vetëm pse ishin boshnjak”, kështu është shprehur kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila në shënimin e përvjetorit të 30-të të gjenocidit në atë vend.
“Atje nuk u shua vetëm jeta; në Srebrenicë u godit dinjiteti njerëzor dhe u nëpërkëmb drejtësia ndërkombëtare. Dhimbja e nënave që ende presin bijtë e tyre, dhimbja e motrave dhe grave që nuk morën kurrë një përshëndetje lamtumire, është sot po aq e gjallë sa atëherë. Në Ditën Memoriale të Gjenocidit në Srebrenicë, përkulemi me zemër të rënduar para kujtimit të atyre jetëve të pafajshme”, ka theksuar ajo.
Do të mbetet përjetësisht e vërtetë: Pa drejtësi nuk ka paqe. Pa kujtim nuk ka shërim.
