Tryezë diskutimi: Potenciali dhe promovimi i turizmit në Kosovë

Alternativa organizoi një tryezë diskutimi me temën “Potenciali dhe promovimi i turizmit në Kosovë”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushës dhe përfaqësuesve të sektorit privat. Panelistët në këtë takim ishin: Skender Thaçi, Halim Gjergjizi, Ylber Rudi dhe Lavdi Zymberi.

Takimi u zhvillua në një frymë profesionale dhe larg diskutimeve të zakonshme politike, me qëllim ndërtimin e një vizioni zhvillimor për sektorin e turizmit në Kosovë. Në qendër të diskutimeve ishte potenciali i jashtëzakonshëm që ofron vendi ynë, si dhe domosdoshmëria për një qasje të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin e tij.

Pikat kyçe të diskutimit përfshinë:

Turizmi malor dhe roli i sektorit privat – Me 63% të territorit që përfshinë bjeshkë dhe reliev malor, Kosova ka një potencial të madh për turizëm natyror. Sektori privat ka kontribuar ndjeshëm në këtë drejtim, por mungon mbështetja institucionale.

Trashëgimia natyrore, kulturore dhe historike – U theksua rëndësia e këtyre vlerave si themel për ndërtimin e një identiteti turistik autentik dhe konkurrues.

Nevoja për industrializim të menaxhuar të turizmit – Pavarësisht pozitës strategjike, Kosova përballet me degradim të hapësirave natyrore e kulturore. Panelistët propozuan një qasje të qëndrueshme që ruan autenticitetin.

Diversifikimi i llojeve të turizmit dhe përmirësimi i imazhit ndërkombëtar – Nga turizmi malor e deri tek ai i errët (dark tourism), u theksua nevoja për ndërtimin e një narrative të re, moderne dhe pozitive për vendin.

Orari i institucioneve kulturore – U propozua që muzetë dhe qendrat historike të jenë të hapura edhe gjatë fundjavës për të plotësuar kërkesat e turistëve.

Strukturim institucional – Një nga rekomandimet kyçe ishte krijimi i Agjencisë Kombëtare për Turizëm, e cila do të bashkërendonte politikat dhe aktivitetet e fushës duke bashkuar departamente të ndara në ministri të ndryshme.

Guidat turistike dhe licencimi i tyre – U ngrit shqetësimi për keqinformimin nga guidat e huaja dhe u kërkua përmirësim i kuadrit ligjor për licencim dhe trajnimin e guidave lokale.

Lehtësira fiskale – U përmend si propozim ulja e TVSH-së për shërbimet që lidhen me turistët e huaj, për të rritur konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e Kosovës si destinacion.

Bashkëpunimi ndërinstitucional – U theksua rëndësia e përfshirjes së institucioneve sportive dhe akademike në zhvillimin e turizmit sportiv dhe rekreativ, si pjesë e strategjisë kombëtare.

Synimet strategjike të Alternativës për turizmin përfshijnë:

Themelimin e Agjencisë Kombëtare për Turizëm si institucion udhëheqës.

Krijimin e qendrave për informim turistik në çdo komunë.

Zhvillimin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse për turizmin në Kosovë.

Lidhjen e pikave turistike me transportin, akomodimin dhe shërbimet ndihmëse.

Patentimin dhe promovimin e produkteve tradicionale si pjesë e ofertës turistike.

Alternativa do të vazhdojë të trajtojë temat me rëndësi kombëtare me seriozitet dhe profesionalizëm, duke ofruar alternativa konkrete dhe të zbatueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës