Alternativa shënoi 8 vjetorin e themelimit mes shumë suksesesh

27 korriku shënon 8 vjetorin e themelimit të Alternativës. 8 vjet përpjekje e angazhim me frymën liberale për të lënë gjurmë në historinë politike të vendit tonë. Pa dyshim kjo ecje nuk ka qenë as e shkurtër as e lehtë, por bindjet tona të thella, qëndrimet e drejta, vizioni i qartë, kanë bërë që Alternativa gjithmonë të jetë në funksion të shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe integrimit.

Në shënim të ditëlindjes së 8-të të Alternativës, u mbajt një ceremoni madhështore, ku morën pjesë bashkëpunëtorë, aktivistë dhe përkrahës të shumtë nga Alternativa dhe partnerët e saj në Qeverisje.

Ceremoninë e madhështuan fëmijët të cilët përfaqësuan simbolin e viteve të aktivitetit të Alternativës dhe viteve të bashkëpunimit me partitë në skenën politike të Kosovës.

I pari nga folësit në ceremoni, ishte nënkryetari i Alternativës z. Reshat Nurboja i cili  ka thënë se pas 30 viteve pjesëmarrje aktive në politikë i jam bashkangjitur Alternativës liberale.

“Të gjithë anëtarëve e simpatizantëve, përkrahësve të subjektit Alternativa ju uroj 8 vjetorin e zyrtarizimit të saj si parti me shpresë e besim që të dalim faqebardhë në detyrat dhe obligimet që i kemi përpara”, ka thënë ai.

Faton Peci, bashkëkryetar i partisë Guxo duke uruar Alternativën në këtë ditë festive ka theksuar se, skenës politike kosovare i duhet vizioni dhe diversiteti.

“Ju jeni me fat që e keni një lidere e cila është shembull pozitiv i bashkëpunimit e cila çdo herë e ka interes dhe prioritet Kosovën. Kudo që Alternativa ka pasur përfaqësim unë kam parë përkushtim e angazhim maksimal. Mimoza është shembull pozitiv dhe pikë reference që duhet me u ndjek edhe nga gjeneratat e reja”, ka thënë Peci.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri, z. Albin Kurti, përgëzoi kryetaren dhe anëtarët e Alternativës, si dhe simpatizantët e saj, duke uruar për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

“Ndjehem i nderuar që jam sonte me ju, ku po shënojmë 8 vjet nga themelimi i partisë Alternativa. Tash e 6 vjet Lëvizja VETËVENDOSJE dhe partia Alternativa ecim së bashku në udhën institucionale të Republikës së Kosovës. Alternativës rregullisht i janë rritur votat dhe sivjet krahasuar me para 8 viteve kryetarja, Mimoza ka më shumë se karëfishin e votave. Ka qenë një bashkëpunim i ndërsjelltë me qëllime të përbashkëta dhe me mirëkuptimin për dallimet që nuk na ndajnë por na ndihmojnë të shohim të gjitha nuancat e shoqërisë. Alternativa ka dhënë dëshmi të plotë për besnikëri të votës dhe besimit të cilin na e kanë dhënë qytetarët. Sonte dua ta falënderoj kryetaren Mimoza Kusari-Lila për punën që ajo nuk e ndali kurrë për forcën e saj që s’ia pamë kufinjtë asnjëherë. Mimoza këto katër vite ju drejtoi ju por na drejtoi edhe ne si kryetare e Grupit Parlamentar. Ky bashkëpunim mbase do të futet në manualet e shkencave politike kur flitet për koalicionet dhe partneritetet”, është shprehur Kurti.

“Me shumë dinamikë Mimoza ka koordinuar Grupin tonë Parlamentar në një frymë kolegialiteti. Ajo ka qenë një shtyllë e rëndësishme e bashkërendimit ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit. Mimoza ka drejtuar me shumë sukses edhe Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim dhe ka mbajtur raporte të shkëlqyera me vendet mike e aleate të Kosovës. Unë shpreh mirënjohjen time të thellë për këtë bashkëpunim”, është shprehur ai mes tjerash.

Ceremoninë protokolare e përmbylli kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi se në kohë të paqëndrueshme, Alternativa solli qëndrueshmëri:

“Sot bëhen 8 vite që kur Alternativa zyrtarisht u bë pjesë e skenës politike në Kosovë. E nisur me idealin dhe zellin e ofrimit të mendimit të ri politik, orientimit liberal të qendrës, përfshirjes dhe ngritjes së angazhimit të të rinjve në jetën politike dhe vendimmarrëse, kaluam nëpër katër palë zgjedhje parlamentare dhe dy palë zgjedhje lokale. Në këto vite, demokracia jonë e re kaloi nëpër sfida të paimagjinueshme për një shtet të ri, por ne qëndruam. Dhe jo vetëm që ishim aty, por edhe dhamë kontributin tonë të çmuar për shtetin, sovranitetin, demokracinë dhe zhvillimin”.

Ajo, u uroj mirëseardhje të gjithë përfaqësuesve të degëve të Alernativës nga Gjakova, Prishtina, Peja, Mitrovica e Jugut dhe Veriut, Prizreni dhe Vushtria dhe gjithë miqëve të Alternativës, të cilër rrugëtuan me ne në cilëndo fazë të këtij përvjetori të tetë”. Kryetarja Kusari – Lila, gjithashtu përmendi me respekt bashkëthemeluesin e Alternativës, bashkëpunëtorin e saj të ditëve të para të jetës institucionale të pasluftës në Kosovë, z. Ilir Deda. Ajo shtoi se, “Edhe pse sot me Ilirin ndodhemi në binarë politikë të ndryshëm, besimi ynë i përbashkët në demokracinë pluraliste dhe mendimin ndryshe mbetet i palëkundur – dhe kjo është pasuria më e madhe e demokracisë tonë të re të Kosovës dhe vlerave të partisë liberale, Alternativës.”

Lidhur me situatën aktuale në vend ajo shtoi: “Një e vërtetë vazhdon të na rikonfirmohet, Demokracia dhe shteti i lirë nuk mund të merren për të mirëqena. Ato duhet mirëmbajtur dhe kultivuar me dashuri dhe pasion çdo ditë dhe nga çdo nivel. Përbrenda vendit, duhet të mbajmë fokusin tek platforma zhvillimore dhe tek zvoglimi i konfrontimit. Na duhet një sistem i së drejtës, profesionist dhe me integritet.

Alternativa ofron dhe ndan vizionin e saj për një dinamizim të agjendës zhvillimore dhe progresive.

Vizioni i Alternativës për:

 • ekonomi qarkore, ku çdo resurs menaxhohet me kujdes dhe jo abuzohet,

 • shtet që mbron mjedisin, jo që hesht për ndotjen,

 • teknologji dhe inovacion, ku të rinjtë aktivisht  bëhen krijues dhe simbol i zhvillimit dhe mundësive në vendin tonë

 • shërbime publike të digjitalizuara, që nuk lodhin qytetarin, por i shërbejnë atij me efikasitet.

Kosova ka potencial, andaj aktivisht na duhet politikë që e liron këtë potencial dhe e kulmon në zhvillim.”

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila, në përmbyllje falenderoi të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e thellë si dhe shprehu mirëseardhje për gjithë liberalët në shtëpinë e vlerave liberale, Alternativën.

Alternativa po ec në rrugë të drejtë e të mbarë!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës