27 korrik, 2017 është dita e regjistrimit të subjektit Alternativa. Partia liberale e qendrës, e cila për këto tetë vite ka marrë pjesë në katër palë zgjedhje nacionale dhe dy palë zgjedhje lokale, ka qëndruar në skenën politike duke përfaqësuar orientimin liberal dhe vlerat progresive, përkundër sfidave të njëpasnjëshme me të cilat jemi përballur si shtet dhe institucione.
Mes miqsh, mbështetësish dhe partnerësh, shënuam 8-vjetorin e themelimit të Alternativës.
Më poshtë është fjalimi i kryetares së Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila:
Të dashur qytetarë, miq e bashkëpunëtorë,
Mirë se vini në 8-vjetorin e Alternativës – në festën e vlerave tona liberale, të guximit për t’u përballur me të vërtetën dhe të pasionit për ta çuar Kosovën përpara.
Mirëseardhje ju uroj, Kryetarit të LVV dhe Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, zv/KM dhe bashkëkryetarit të partisë Guxo, z. Faton Peci, ministrave të qeverisë, deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të legjislaturës së tetë dhe të nëntë, Ambasadorit gjerman në Kosovë, z. Rohde, zv. Ambasadorit francez në Kosovë, përfaqësueseve të Ambasadës Amerikane, përfaqësuesve të NDI dhe organizatave tjera.
Mirëseardhje të gjithë përfaqësuesve të degëve të Alernativës nga Gjakova, Prishtina, Peja, Mitrovica e Jugut dhe Veriut, Prizreni dhe Vushtria dhe gjithë miqëve tonë që rrugëtuan me në në cilëndo fazë të këtij përvjetori të tetë, Ju Jemi mirënjohës dhe ju mirëpresim në shtëpinë e vlerave liberale.
Dua gjithashtu në veçanti të përshëndes me respekt bashkëthemeluesin e Alternativës, bashkëpunëtorin tim të ditëve të para të jetës institucionale të pasluftës, Ilir Dedën. Edhe pse sot me Ilirin ndodhemi në binarë politikë të ndryshëm, besimi ynë i përbashkët në demokracinë pluraliste dhe mendimin ndryshe mbetet i palëkundur – dhe kjo është pasuria më e madhe e demokracisë tonë të re të Kosovës dhe vlerave të partisë liberale, Alternativës.
Në mesin tonë sot kemi edhe ndërmarrës nga vise të ndryshëm të Kosovës, mirë se erdhet dhe ju faleminderit për respektin. Ndërsa, dua të veçoj një që ka ardhur nga rrugë e largët, një shqiptar i veçantë, z. Bruno Selimaj, i cili është në mesin tonë me bashkëshorten e tij.
Z. Selimaj me suksesin e tij prej ndërmarrësi dhe filantropi, ndërtoi profilin shembullor të bashkëdyzimit shqiptaro-amerikan në New York. Suksesi i z. Selimaj na kujton se vizioni nuk njeh kufij kur udhëhiqet nga zemra dhe qëllimi i drejtë. Ju faleminderit!
Ditën e dielë, 27 korrik, bëhen 8 vite, qëkur zyrtarisht Alternativa u bë pjesë e skenës politike në Kosovë. E nisur me idealin dhe zellin e ofrimit të mendimit të ri politik, orientimit liberal të qendrës, përfshirjes dhe ngritjes së angazhimit të të rinjëve në jetën politike dhe vendimmarrëse, kaluam nëpër katër palë zgjedhje parlamentare dhe dy palë zgjedhje lokale. Në këto vite, demokracia jonë e re, kaloi nëpër sfida të paimagjinueshme për shtetin e ri, por ne qëndruam, dhe jo vetëm që ishim aty, por edhe dhamë kontributin tonë të cmuar për shtetin, sovranitetin, demokracinë dhe zhvillimin.
Në kohë paqëndrueshmërie, kemi sjellë qëndrueshmëri. Në kohë pasigurie, kemi ofruar besim. Dhe sot, kur Kosova përballet me një prej ngërçeve më të gjata parlamentare, Alternativa ka qenë aktive dhe mbetet e përkushtuar për të ndërtuar jo vetëm dialogun ndërpartiak, por edhe modelin e bashkëpunimit, ku parimi ynë udhëheqës është një dhe vetëm një: përparimi i Kosovës.
Në rrugëtimin tonë prej tetë vitesh, gjashtë vite i kemi ecur krah për krah me Lëvizjen Vetëvendosje, e katër prej tyre edhe me partinë Guxo, si dhe partnerët tonë nga partitë e komuniteteve joshumicë, Partinë demokratike turke, Iniciativen e re Demokratike të Kosovës, Partinë e re Demokratike.
Jam mirënjohëse për bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen politike, Kryeministrit Albin Kurti dhe bashkëpunëtorëve tjerë nga LVV, bashkëkryetarëve të partisë Guxo, Donika Gërvalla-Schëarz dhe Faton Peci si dhe deputetëve të legjislaturës së tetë dhe të nëntë nga ky subjekt, zv/KM Emilija Redjepi, ministrave, Fikrim Damka dhe Elbert Krasniqi. Vullneti juaj për të ndërtuar politika të drejta tregon se kur bashkohemi rreth parimeve, energjia e Kosovës shumëfishohet.
Po jetojmë në një botë e cila po ndryshon shpejt dhe jo gjithmonë në drejtimin e duhur.
Vetëm në këto tetë vitet e fundit, kemi përjetuar pandeminë, po jetojmë me një luftë aktive në kontinentin tonë dhe disa vatra aktive të luftërave dhe konflikteve në Lindje të mesme, Azi dhe Afrikë. Shtetet e mëdha po ndryshojnë prioritetet e politikave të brendshme dhe politikës së jashtme, ndërsa Aleanca më e fortë ushtarake e botës, ka ngritur mobilizimin për armatim dhe përgaditjet intenzive pëe konflikte të mundshme. Kosova ka pasur fatin të ketë mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve të saj nga bota demokratike, por edhe të ketë fqinj agresorin e saj të luftës së fundit. Sfidat nga fqinji ynë verior kanë vazhduar pandalur dhe kanë kërkuar agjilitet dhe vendosmëri për t’u përballur.
Kosova në dy vitet e fundit ka qenë cak i dy sulmeve terroiste të organizuara nga Serbia, përpjekje këto të dështuara falë angazhimit dhe profesionalizimit të Policisë tonë dhe organeve të sigurisë dhe intelegjencës.
Kjo situatë kërkonë gjithashtu më shumë unitet të brendshëm dhe më shumë forcim të kufirit të jashtëm.
Një e vërtetë vazhdon të na rikonfirmohet, Demokracia dhe shteti i lirë nuk mund të merren për të mirëqena. Ato duhet mirëmbajtur dhe kultivuar me dashuri dhe pasion çdo ditë dhe nga çdo nivel.
Përbrenda vendit, duhet të mbajmë fokusin platforma zhvillimore dhe tek zvoglimi i konfrontimit. Na duhet një sistem i së drejtës, profesionist dhe me integritet.
Fakti që vite më parë Kuvendi i Kosovës u bind fatkeqësisht të votojë një Gjykatë për të vepruar jashtë vendit të saj, tregon për pranimin e dështimit të atëhershëm për sistem të ndikueshëm të drejtësisë. Nuk ka shtet të fortë të së drejtës, kur nuk ka drejtësi të paanshme dhe të patrembur, andaj kjo sfidë vazhdon ta përcjellë shtetin tonë dhe ne duhet ta tejkalojmë.
Uniteti ynë duhet të ndërtohet dhe mëria e sotme për suksesin e shtetit ligjor në veri të vendit duhet të tejkalohet.
Kosova është e vogël për dy e tri sisteme të administritmit apo qeverisjes.
Ky fakt duhet të na mobilizojë që të jemi më të fokusuar për një zhvillim gjithëpërfshirës dhe integrues dhe një shtet të fortë me mekanizma të pavaruara dhe drejtësi të plotë.
Alternativa, mbështet palëkundur veprimet e institucioneve të vendit për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në çdo cep të vendit.
Vizioni ynë për:
• ekonomi qarkore, ku çdo resurs menaxhohet me kujdes dhe jo abuzohet,
• shtet që mbron mjedisin, jo që hesht për ndotjen,
• teknologji dhe inovacion, ku të rinjtë aktivisht bëhen krijues dhe simbol i zhvillimit dhe mundësive në vendin tonë
• shërbime publike të digjitalizuara, që nuk lodhin qytetarin, por i shërbejnë atij me efikasitet.
Kosova ka potencial, andaj aktivisht na duhet politikë që e liron këtë potencial dhe e kulmon në zhvillim.
Dua të ndalem edhe tek fëmijët tanë – të cilët, përmes mesazheve të tyre në këtë përvjetor, na kanë dhënë ndoshta porosinë më të sinqertë e më të fuqishme.
Na kujtuan se koha nuk pret. Se çdo ditë që kalon, është përgjegjësi. Na kujtuan me fjalë të thjeshta, por me kuptim të thellë, se vendimet që marrim sot janë jeta që ata do të jetojnë nesër.
Faleminderit nga zemra për këtë dritë e për këtë kujtesë – ju jeni arsyeja pse ky rrugëtim ka kuptim dhe pse ne nuk do të ndalemi.
Martin Luther King Jr. na mësonte: “Nuk është kurrë koha e gabuar për të bërë atë që është e drejtë.” Ne jemi këtu për ta bërë të drejtën, edhe kur është e vështirë; për ta shtyrë Kosovën përpara, edhe kur rruga duket e ngushtë.
Urime 8-vjetori, Alternativë!
Le ta festojmë me krenari dhe me një zotim të ripërtërirë: të ecim përpara – me guxim, me vlera dhe me një qëllim të përbashkët.




