Në prag të zgjedhjeve lokale 2025, është bërë e dukshme një praktikë e padrejtë dhe e rrezikshme për demokracinë në vendin tonë: mediat po vendosin kush është kandidat “i denjë” apo “interesant” për t’u përballur në debate, intervista dhe emisione publike. Shpesh këto emisione shndërrohen në programe zbavitëse, por tragjedia është se ato ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e opinioneve të qytetarëve të zakonshëm, të cilët nuk merren përditë me politikë apo administrim publik.
Në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës janë regjistruar dhjetë kandidatë, secili me të drejtën legjitime për të paraqitur programin dhe vizionin e tij. Megjithatë, vetëm tre ose katër – në rastin më të mirë pesë – po favorizohen dhe ftohen rregullisht në debate, ndërsa të tjerët injorohen parcialisht ose krejtësisht. Kjo krijon një standard të dyfishtë dhe një praktikë të rrezikshme të ekskluzivitetit, nën petkun e kinse fjalës së lirë dhe të fushatës së barabartë.
Në vend se qytetarët të dëgjojnë të gjitha alternativat dhe të zgjedhin vetë, mediat po u japin hapësirën vetëm partive të mëdha dhe kandidatëve me mbështetje të fuqishme financiare e politike. Kjo jo vetëm që cenon barazinë në garë, por edhe deformon klimën demokratike, duke e lidhur rezultatin elektoral më shumë me pushtetin e parasë dhe të mediave sesa me vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kjo qasje është e papranueshme. Demokracia nuk është pronë e partive të mëdha apo e sponsorëve të tyre. Demokracia është e qytetarëve. Ajo matet me barazinë e secilit kandidat për të paraqitur idetë e tij dhe me të drejtën e qytetarëve për të marrë vendime të mirëinformuara, me një pasqyrë të plotë të alternativave politike. Përjashtimi i kandidatëve dhe heshtja mediatike nuk janë vetëm padrejtësi politike, por edhe cenim i drejtpërdrejtë i lirisë së qytetarëve.
Prandaj dua të jem i qartë: fuqia është në duart e qytetarëve. Vota juaj është arma juaj demokratike. Mos lejoni që ajo të manipulohet nga paraja, nga propaganda apo nga përjashtimi i qëllimshëm. Ju jeni ata që vendosni kush do të qeverisë Prishtinën.
Ky mesazh nuk është defetist. Përkundrazi: ne jemi të bindur se qytetarët që dëgjojnë Alternativën dhe ofertën tonë të liberalizmit për Kosovën dhe Prishtinën, do të dalin dhe do të votojnë për të drejtën e tyre – për një votim të mirëinformuar, të pandikuar, me shanse të barabarta për të gjithë. Vendimi final i takon qytetarit të lirë, të informuar, të pashantazhuar dhe të pamanipuluar – qytetarit që më 12 tetor, si sovran i këtij shteti dhe i këtij qyteti, do të marrë vendimin për qeverisjen e Prishtinës në katër vitet e ardhshme.