Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila, së bashku me bashkëpunëtorë dhe të prirë nga Kryeministri Albin Kurti, kanë qëndruar sot në Dubovik të Deçanit, ku kanë kujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën si dhe Kadri Zekën në përvjetorin e vrasjes së tyre.
Me këtë rast, ata kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule pranë varreve duke nderuar jetën dhe sakrificën e tyre.
“Në këtë ditë të vitit 1982, u shuan dhunshëm Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka patriot e veprimtarë që jetuan e vepruan për një ide më të madhe se frika: lirinë. Ata lanë pas një vepër që nuk u vra dot, mendimin politik, organizimin, fjalën e shkruar dhe guximin për të thënë të vërtetën kur heshtja ishte më e sigurt”, ka theksuar Kusari Lila.
Jusuf Gërvalla, përveçse veprimtar i palodhur, ishte edhe krijues i rrallë artistik. Poezia, muzika dhe fjala e tij u bënë formë rezistence, zë i ndërgjegjes kolektive dhe dëshmi se kultura është po aq e fuqishme sa qëndresa. Siç shkruante ai:
“Kënga ime është zëri i atdheut të robëruar.”
Kjo thënie edhe sot përçon mesazhin e qartë për misionin e tij dhe për forcën e artit si akt lirie.
Përcjellja e kësaj historie nuk guxon të mbetet një ritual formal, por përgjegjësi.
Trashëgimia e Gërvallëve dhe e Kadri Zekës duhet të jetë pjesë e edukimit të gjeneratave të reja, jo si mit i largët, por si mësim i gjallë. Rruga dhe vepra e tyre na nevojiten si udhërrëfyes për të ardhmen, për të ndërtuar një shoqëri me mendim të lirë, guxim moral dhe dinjitet.
Ata u vranë, por nuk u mposhtën. Detyra jonë është t’i mbajmë gjallë, në kujtesë, në arsim dhe në veprim.
Lavdi jetës dhe veprës së tyre.







