Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u bë dorëzim-pranimi nga ministrja e deritashme Rozeta Hajdari duke ia dorëzuar detyrën tashmë ministres, Mimoza Kusari-Lila.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja e deritashme Rozeta Hajdari bëri një përmbledhje të punëve dhe projekteve, që janë realizuar gjatë qeverisjes së saj katërvjeçare, duke përfshirë arritjet në sektorin e tregtisë, industrisë, ndërmarrësisë dhe fushave të tjera që mbulohen nga ministria.
Ndërkaq, ministrja Mimoza Kusari-Lila e falënderoi ministren Hajdari për angazhimin e saj gjatë kësaj periudhe dhe potencoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për zhvillimin e fushave që janë në kuadër të ministrisë.
“Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Sot zyrtarisht pranova detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari”, ka thënë mes therash ajo.
“E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar. Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë. Vendi ynë pasurinë më të çmuar i ka të rejat dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin dhe talentin e tyre kanë zhvilluar dhe rritur sektorin e inovacionit – sektor që tashmë është pjesë e këtij dikasteri”.
“Dialogu publiko-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit. E lumtur të jem pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit tonë”, është shprehur Kusari-Lila.





