Fillojnë takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari Lila, kryetare e Alternativës ka thënë se MINTI është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat.
” Angazhimi ynë është që politikat pro-biznes të mos mbesin vetëm në letër, por të përkthehen në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Në këtë kuadër, kemi nisur takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave. Sot takova përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Me drejtorin Kushtrim Ahmeti dhe përfaqësuesit e kësaj dhome u dakorduam për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në adresimin e barrierave për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe avancimin e konkurrueshmërisë”, ka thënë ajo.
Kusari Lila ka theksuar rolin kyç që kjo dhomë ka si përfaqësuese e interesave të sektorit privat dhe si partnere në ndërtimin e politikave që nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Rikonfirmova mbështetjen time të plotë për fuqizimin e bizneseve private, me synim rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për ndërmarrësi në Republikën e Kosovës”, ka thënë ministrja Mimoza Kusari Lila.


