Mundësitë e përmirësimit të bilancit tregtar përmes mbështetjes së bizneseve vendore dhe krijimit të kushteve më të favorshme për investitorët mbetet prioritet kyç.
Rreth këtyre çështjeve kanë biseduar gjatë takimit ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari Lila, kryetare e Alternativës me ambasadoren e Kanadasë, Shkëlqesinë e saj znj. Jessica Blitt.
” Zgjerimi i prodhimit vendor dhe rritja e eksporteve janë hapa të domosdoshëm drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe më konkurruese. Po ashtu, diskutuam për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e kapaciteteve institucionale ndërmjet dy shteteve tona, me synim thellimin e partneritetit dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset”, është shprehur Kusari-Lila.
Ministrja ka thënë po ashtu se, Inovacioni dhe tranzicioni i gjelbër, me fokus të veçantë në zonat industriale, janë thelbësore për zhvillimin modern ekonomik.
” Investimi në teknologji të pastra dhe modele të qëndrueshme prodhimi rrit konkurrueshmërinë dhe përputhshmërinë me standardet evropiane. Njëkohësisht, fuqizimi ekonomik i grave është garanci për zhvillim gjithëpërfshirës. Mbështetja e grave në ndërmarrësi dhe në tregun e punës nuk është vetëm çështje barazie, por edhe rritje konkrete ekonomike për vendin”, ka theksuar ajo mes tjerash.




