Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari -Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, për disa ditë ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më saktë në Washington DC, ku ka ndjekur nga afër punimet e Takimeve Vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Znj. Kusari -Lila me këtë rast ka theksuar se Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së u përqendruan në adresimin e sfidave dhe mundësive që ofron Inteligjenca Artificiale, sidomos në sektorin publik.
“Gjatë kësaj jave qëndrova në Washington DC për të ndjekur nga afër punimet e takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këtë vit, Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së u përqendruan në adresimin e sfidave dhe mundësive që ofron Inteligjenca Artificiale (IA), sidomos në sektorin publik”, ka theksuar znj. Kusari-Lila.
Ndërsa në sesionin “Gratë që Transformojnë Botën” është diskutuar mbi strategjitë për të eliminuar pengesa, sidomos në tregjet në zhvillim, ka thënë ajo.
“Një ditë u dedikua plotësisht barazisë gjinore dhe çështjeve për heqjen e pengesave që kufizojnë hyrjen e grave në tregun e punës. Në sesionin “Gratë që Transformojnë Botën” u diskutuan strategjitë për të eliminuar këto pengesa, sidomos në tregjet në zhvillim. Banka Botërore planifikon të dyfishojë angazhimet e saj për programet sociale dhe të rrisë financimet për bizneset e drejtuara nga gratë deri në vitin 2030, me qëllim që të zgjerojë përfshirjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë globale”, ka thënë mes tjerash kryetarja Kusari-Lila .
Kryetarja e Alternativës ka treguar se në këtë takim vjetor është diskutuar edhe mbi politikat klimatike, ndërkohë që ka bërë të ditur se është theksuar nevoja për përfshirjen e grave në zbatimin e zgjidhjeve ndaj ndryshimeve klimatike.
“Në lidhje me politikat klimatike, u theksua nevoja për të përfshirë gratë në zbatimin e zgjidhjeve ndaj ndryshimeve klimatike. Politikat e reja vlerësojnë rolin kyç të grave në menaxhimin e burimeve dhe përshtatjen ndaj sfidave mjedisore, duke synuar fuqizimin e tyre si agjente ndryshimi në komunitetet e tyre. Përmes mbështetjes financiare për qëndrueshmëri, siç është Trusti i Qëndrueshmërisë dhe Rezistencës i FMN-së, këto nisma synojnë të adresojnë sfidat mjedisore dhe sociale në të njëjtën kohë”, ka potencuar ajo.
Kusai-Lila ka njoftuar se është mbajtur Forumi Global Parlamentar, ku u theksua rëndësia e partneriteteve ndërsektoriale dhe mbështetjes legjislative për përmbushjen e qëllimeve gjinore dhe klimatike në mënyrë të qëndrueshme dhe se diskutimet dhe rekomandimet e bëra në çdo temë, treguan se politikat aktuale të Qeverisë së Kosovës janë të përafruara me këto qëllime.
“Gjatë dy ditëve të para të javës, u mbajt Forumi Global Parlamentar ku u mbështetën këto objektiva dhe u theksua rëndësia e partneriteteve ndërsektoriale dhe mbështetjes legjislative për përmbushjen e qëllimeve gjinore dhe klimatike në mënyrë të qëndrueshme. Diskutimet dhe rekomandimet e bëra në çdo temë treguan se politikat aktuale të Qeverisë së Kosovës janë të përafruara me këto qëllime, duke përfshirë kuotat për gratë dhe vajzat në fushat STEM, të ngjashme me vendet e BE-së, si Irlanda. Programet sociale dhe fuqizimi ekonomik i grave, që fillojnë me hapa bazikë si hapja dhe posedimi i llogarive bankare, konsiderohen themelore për gratë në kategori të ndjeshme shoqërore”, është shprehur kryetarja e Alternativës dhe shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari- Lila.
Kusari – Lila ka thënë po ashtu se bashkëpunimi midis vendeve anëtare të Bankës Botërore dhe FMN-së shihet si i domosdoshëm për të mbajtur fokusin në programet zhvillimore dhe tejkalimin e sfidave gjeopolitike.
Ajo ka njoftuar po ashtu, se në përvjetorin e 80-të të Bankës Botërore, FMN-së iu bashkua anëtari më i ri, Principata e Lihtenshtajnit, si vendi i 191-të.






