Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka organizuar tryezë në të cilën është publikuar analiza e buxhetit për mbrojtje sociale për vitin 2024.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna, përfaqësues i Alternativës, ishte i ftuar në këtë tryezë e cila është mbajtur të enjten.
Dobruna e ka vlerësuar lartë këtë dokument i cili, sipas tij, është përgatitur me mjaft profesionalizëm dhe ofron një pasqyrë të plotë të financimit dhe menaxhimit të mbrojtjes sociale në vendin tonë.
“Është kënaqësi dhe privilegj që sot me ftesë të UNICEF-it në Kosovë, të jemi bashkë në organizimin e tryezës për publikimin e Analizës së Buxhetit për Mbrojtjen Sociale, për vitin 2024. Ky dokument i përgatitur me mjaft profesionalizëm, ofron një pasqyrë të plotë të financimit dhe menaxhimit të mbrojtjes sociale në vendin tonë. Si dhe hedh dritë mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësime në këtë sektor”, ka theksuar zv/ministri Dobruna.
Ai është shprehur falënderues ndaj ekipit të ekspertëve të UNICEF-it, siç ka thënë, për mbështetjen e tyre të palodhshme në realizimin e kësaj analize të rëndësishme.
“MFPT edhe në vitin 2024 ka rritur buxhetin e mbrojtjes sociale. Rekomandimet e dhëna do të jenë udhërrëfyes i rëndësishëm për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në përmirësimin e politikave tona dhe në forcimin e sistemit të mbrojtjes sociale”, ka thënë Dobruna gjatë fjalës së tij në këtë tryezë.



