Në Gjakovë të shtunën është mbajtur debat publik me temën: “Sfidat dhe mundësitë e të bërit biznes në komunën e Gjakovës”, organizuar nga Alternativa.
Panelistët sekretarja Alternativës znj. Diana Qarkaxhija, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe kryetar i degës së Alternativës z. Agon Dobruna si dhe z. Ali Tafarshiku zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal prezantuan aktivitetet, punën, projektet dhe sfidat nëpër të cilat kanë kaluar vitet e fundit si zyrtarë të lartë të shtetit dhe subjektit.
Përfaqësues të bizneseve, të shoqatave e organizatave, artizanë, të rinjë të kësaj komune e qytetarë të tjerë patën mundësi të njihen nga afër me mundësitë e të bërit biznes në fushën e arsimit me fokus integrimin e metodave të zhvillimit profesional dhe përmirësimin e arritjeve akademike të nxënësve në shkolla duke ofruar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme. Po në këtë bashkëbisedim të pranishmit u njoftuan rreth masave aktive në tregun e punës dhe mbështetja që ofrohet për qytetarët. U diskutua edhe rreth mundësisë së krijuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për përkrahje të drejtëpërdrejtë të bizneseve, veçmas për skemat e granteve që aplikohen nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.
“Në një kohë kur arsimi është shtyllë themelore për zhvillimin e çdo shoqërie është e qartë se sfidat që pëballojmë sot kërkojnë zgjidhje krijuese dhe angazhim të gjithanshëm. Siç e dimë arsimi në Kosovë përballet me në sërë sfidash nga cilësia e mësimdhënies deri te mungesa e infrastrukturës së duhur. Por brenda këtyre sfidave fshihet një mundësi e jashtëzakonshme, potenciali për të ndërtuar biznese që jo vetëm që plotësojnë këto boshllëqe por që gjithashtu e përmirësojnë cilësinë e arsimit dhe japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë mes tjerash sekretarja e Alternativës znj. Diana Qarkaxhia.
Ajo ka shtuar se, prezantimi i modeleve të suksesshme nga rajoni që mund të përdoren si frymëzim përfshirë qendrat e trajnimit, kurset online dhe aplikacionet edukative që si të tilla do të jenë iniciativë që përmirësojnë cilësinë në arsim dhe do të jenë të vlefshme për brezat e rinjë.
Ndërsa zv/ministri i MFPT z. Agon Dobruna, kryetar i deges së Alternativës, mes tjerash është shprehur: “ Për vitin 2025 buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës shënon nivelin 3 miliardë e 608 milionë euro, që është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024 e që është buxheti më imadh që është arritur ndonjëherë. Ndërsa borxhi publik nën 18% ”.
Dobruna ka shtuar se, ka 8.3% më shumë mjete për investime kapitale se në vitin 2024 dhe se të gjitha këto ndryshime janë bërë në përputhje me rregullën fiskale të kufirit të deficitit buxhetor.
“Fuqizimi i sektorit privat, në vazhdimësi këto 4 vite, ka qenë në objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës përmes skemave të granteve që lansohen nga Ministritë e linjës. Vetëm nga Ministria e Zhvillimit Rajonal janë ndarë mbi 7 milion euro dhe janë mbështetur afër 1 000 biznese. Në aspektin e Zhvillimit Rajonal, Gjakova për herë të parë pas 25 viteve, trajtohet si regjion në vete, duke përfituar më shumë fonde për investime kapitale, grante për biznese dhe mbështetje për Organizatat e Shoqërisë Civile. Gjithashtu për herë të parë, në vitin 2024 janë hapur thirrje të veçanta për mbështetje të studentëve me ide të ndërmarrësise dhe artizanatet që kultivojnë produkte të traditave tona dhe mbajnë gjallë trashëgiminë e zejtarisë”, ka thënë zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal z. Ali Tafarshiku.
Përmes bashkëbisedimit të pranishmit u interesuan dhe mësuan detaje të tjera rreth përfitimit të granteve, planeve dhe projekteve që ka Qeveria për të rritur mirëqenien e qytetarëve.
Për angazhimin e tij në ndihmë të bizneseve Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ndarë mirënjohje për zëvendësministrin e MFPT z. Agon Dobruna.